Pas rekomandimit pozitiv që Kosova e mori sot për liberalizimin e vizave, nuk është dhënë afati se kur kjo mund të zyrtarizohet në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
Sipas kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kjo lidhet me dialogun Kosovë-Serbi. Në një prononcim për Indeksonline, ajo ka thënë se këto procese janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe së qoftë direkt a indirekt do të ketë kushtëzime për çështjen e vizave.
“Prapë jemi në fazë të para dy viteve. Dihet që liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë nesër as pasnesër. Afati është ende i paditur dhe këtë e tha edhe Komisioneri për Punë të Brendshme të BE-së, që tha se nuk garanton vizat po që është në rrugë të mbarë. Edhe takimi i Thaçit e Vuçiqit në Bruksel tregon se këto procese janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe prapë në mënyrë direkte a indirekte kushtëzime për procedimin e mëtutjeshëm të liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka komentuar shkuarjen e krerëve të shtetit në Bruksel, e që sipas saj këtij delegacioni është dashur t`i shtohet edhe një ministre, ajo e Integrimeve Evropiane.
“Është me të vërtetë një simbolikë ironike shkuarja e gjashtë burrave, krejt krerëve të shtetit në Bruksel për një lajm të vonuar 3 vite për Kosovën, ajo çka është dashur të ndodhë sot është se ka mundur të shkojë edhe ministrja e Integrimeve që të merret lajmi i cili prapë duhet të konfirmohet tek Parlamenti Evropian dhe Këshilli i ministrave”, është shprehur ajo.
Raportin e sotëm pozitiv të cilin e dha Komisineri për Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopoulos e sheh si dyshuese edhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Dhe, kjo krejt për faktin se sot nisi edhe raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi.
Në anën tjetër, ajo ka thënë se afati për liberalizimin e vizave nuk u bë i qartë as nga vet Avramopoulos, por që duhet shpresuar se kjo do të ndodhë sa më shpejtë.
“Duke pas parasysh se sot ka vazhduar raundi i ri i bisedimeve është shumë dyshuese se çka është thënë në këmbim në raport me këtë raport sot. E pamë edhe deklarimin e presidentit Thaçi i cili ka thënë se raporti është shumë i vështirë, nis edhe prej përvojës së viteve të kaluara, duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Ne jemi kundër kësaj forme në të cilën po vazhdon dialogu. Edhe pse është e disata herë që ne kemi dëgjuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda këtij viti, tashmë u dha deklarata që akoma nuk është 100 % e sigurt liberalizimi në periudhë shumë të shpejt ani pse ne urojmë që kjo të ndodhë sa më parë”, ka thënë Nagavci në një prononcim për Indeksonline.
Deputetja ka komentuar shkuartjen e të gjithë liderëve shtetërorë në Bruksel. Ajo ka thënë se ata kanë shkuar pa konfirmim nga Kuvendi dhe pa konsensus me opozitën të cilët janë shumicë. Ndërsa, ka shtuar se ligji është thyer meqë ai parasheh se njëri nga krerët kryesorë duhet të qëndrojë në vend.
Ndërsa, një afat kur Kosova mund të marrë lajmin për liberalizim, e ka dhënë deputeti i Alternativës, Ilir Deda.
Ai përmes një shkrimi ka bërë të ditur se vendimi do të merret në vjeshtë nga Këshilli i Ministrave për Punë të Brendshme të BE-së.
“Vendimi i parë, nga tre sosh, për liberalizim të vizave më në fund u përmbyll me sukses. Rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian duhet t’i gëzohemi të gjithë. Vendimi i tretë – ai final – mirret në vjeshtë nga Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme të BE-së. Pas përmbushjes të dyfish kritereve më shumë se shtetet e rajonit, në vjeshtë presim që BE-ja të përmbushë obligimin e saj ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar ai./Indeksonline/