Sipas një komunikate të ushtrisë siriane, raketat erdhën nga hapësira ajrore libaneze, e goditën gjithashtu një postbllok ushtarak, duke vrarë dy ushtarë.
Sipas grupeve monitoruese në Siri, raketat goditën një qendër shkencore dhe një bazë ushtarake pranë saj, ku magazinoheshin raketa.
Izraeli, i cili ka kryer dhjetëra sulme “klandestine” në Siri më parë, nuk i komentoi këto pretendime. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se, ushtria nuk e ka zakon që të japë sqarime për çështje operacionale.
Sulmi, për të cilin Damasku e drejton gishtin nga Izraeli, vjen një ditë pasi hetuesit e OKB-së fajësuan drejtpërdrejt regjimin e Bashar al-Assadit për dhjetëra sulme me armë kimike ndaj popullsisë civile.
Mes shumë incidenteve, OKB-ja fajësoi ushtrinë siriane edhe për sulmit tragjik në Kan Sheikun me gaz sarin, ku u vranë mbi 80 civilë në muajin prill. Regjimi i Bashar al-Assadit i ka mohuar akuzat për përdorimin e armëve kimike, ndërsa vet presidenti i Sirisë tha se ato janë sajuar nga kundërshtarët e vendit. / Top Channel