Qeverisja lokale e udhëhequr nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu ka vizionin e qartë që zonës urbane t’i jap funksionalitetin e munguar për dekada. E dëshmi për këtë është numri i madh i projekteve infrastrukturore që po ndodhin përgjatë gjithë territorit të Ferizajt e me theks të veçantë ato në zonën urbane.
Qendra e qytetit e patrajtuar tashmë i takon së kaluarës. Edhe sot, nisi puna për ndërtimin e njërit nga projektet madhore infrastrukturore në zonën qendër – ai i ndërtimit të nënkalimit për vetura që bashkon dy arteriet kyçe rrugore, rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani” dhe “Liman Rekaj”, tek Plus Marketi, projekt ky në kuadër të projeksionit infrastrukturor të “Bashkimit të Qytetit”.
Për ta bërë hapin e parë në këtë vepër infrastrukturore doli i pari i qytetit tonë, Agim Aliu bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, zëvendësministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Svarqa, zëvendësministrin e Infrastrukturës, Xhavit Zariqi, drejtues të Hekurudhave të Kosovës dhe drejtorë e zyrtarë tjerë komunal.
Nikoqiri, kryetari Aliu tha se kjo vepër infrastrukturore paraqet një domosdo investimi duke ditur faktin e lidhjes më të lehtë, më të shpejt mes dy rrugëve ndër më kryesoret në qytet, për të cilën do të shërbej ky nënkalim.
“Ky projekt infrastrukturor zgjidh shumë probleme, në radhë të parë siguron qasjen dhe funksionalitetin e komunikacionit rrugor që në këtë pjesë të qytetit është shumë i rëndësishëm për të sigurar një qasje të lehtë, të mirë të komunikacionit rrugor e shton sigurinë e lëvizjes së qytetarëve, këmbësorëve, lidh dy anët e hekurudhës apo të qytetit që ndahen nga hekurudha. Është pra një projekt që siguron të ketë funksionalitet, lëvizshmëri e siguri por është edhe një projekt i bukur në vazhdën e projekteve të bukura që ne jemi duke i bërë për Ferizajn” tha mes tjerash Kryetari Aliu i cili poashtu falënderoi ministrin Abrashi për konsistencën në mbështetjen e projekteve infrastrukturore të Ferizajt.
Në anën tjetër ministri Abrashi tha se në Ferizaj do të ketë investime të shumta infrastrukturore si ky i sotmi, duke pasur parasysh edhe zhvillimin ekonomik e referencën zhvillimore që ka Ferizaj.
“Jemi sot këtu në punimet e nënkalimit, një projekti të bukur por mbi të gjitha edhe funksional i cili mund të themi në një mënyrë edhe afron qytetin më shumë, posaqërisht tani në kornizën e investimeve të mëdha të Qeverisë në hekurudhë. Prandaj kisha lutur edhe qytetarët e Ferizajt por edhe bartësit institucional që këtë vit të na falin sepse do të ketë shumë investime në Ferizaj, duke filluar nga nënkalimi, pastaj edhe rehabilitimi i hekurudhës, por gjithsesi kur të flasim pas një viti, do të flasim për shumë projekte të përfunduara të cilat do t’i japin edhe më shumë gjallëri ekonomike Ferizajt i cili tashmë po shndërrohet në një qendër të madhe zhvillimore ndoshta edhe në regjion” tha ministri Abrashi.
Tutje, në vizitën e sotme, nikoqiri, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ministrin Abrashi, ndoqën edhe punimet që janë kryer e po bëhen në projektin “Bashkimi i Qytetit”, përkatësisht nënkalimin dhe gjithë punët ndërtimore në zemrën e qytetit. Nga kjo vizitë, ministri Abrashi i impresionuar me punën e jashtëzakonshme, dinamikën e funksionalitetin që ofron projekti “Bashkimi i Qytetit” u zotua për mbështetje të pakursyer për projektet zhvillimore në Ferizaj.
Projekti i ndërtimit të nënkalimit për vetura tek Plus Marketi parasheh përveç punëve ndërtimore edhe rregullimin e infrastrukturës nëntokësore, ndriçimit publik, shenjëzimin verikal dhe horizonal, projekt ky që do ta kthej këtë zonë në qendër zhvillimi e model të infrastrukturës publike.