Kryetari i Ferizajt sot kishte një vizitë jo të rëndomtë. Zyra e kryetarit u shndërrua në kopsht të fëmijëve të cilët kishin ardhur ti urojnë Ditën e Pavarësisë.
Aliu, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se ditën e ka nisur me këta fëmijë.
“Kur të vegjlit urojnë 17 Shkurtin. Nuk ka si nis më mirë dita, sesa me të vegjlit. Janë buzëqeshjet nga shpirti i pastër i fëmijëve, sinqeriteti i paskaj që i karakterizon, ato që ushqejnë çdo ditë motivin për të ecur përpara. Në vigjilje të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë, zyrën time “e pushtuan” fëmijët që me këngë, vjersha e pyetje që vetëm ata dijnë t’i bëjnë më dhanë forcën e energjinë e paçmueshme”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Aliu ka treguar se gjatë këtij takimi me fëmijët kanë biseduar dhe kanë zhvilluar lojra të ndryshme.
“Bashkë, biseduam, kënduam e lozëm me lojërat që prisnin duart e vogla të shpirtit të madh të tyre. Në sytë e tyre dhe dashurinë e madhe që ta falin, gjen burimin e pashtershëm të gëzimit e shpresën në horizont. Sot jam më i pasur seç isha, u njoha dhe ndërtova shoqëri me miqtë e mi të vegjël”, ka shkruar ai.