28,12,2024

Në Parlamentin e Aargaut, për të përmirësuar imazhin e shqiptarëve

Must Read

Krahas kandidatëve të shumtë, shqiptaro-zvicerani Florim Kadriu, me origjinë nga Kërçova, kërkon një mandat në zgjedhjet e tetorit.

Në një intervistë për albinfo.ch politikani shqiptaro-zviceran tregon se si u nominua në listën e PS-së në Aargau. Kadriu pret edhe mbështetjen e bashkëqytetarëve të tij në rrethin e Badenit me shtetësi zvicerane.

Ai premton se do të angazhohet që t’ua lehtësojë atyre jetesën në Argau, të përmirësojë imazhin, siç thotë ai, me një politikë të fortë njerëzore në foltoren e Parlamentit kantonal të Aargaus.

„Kam për të krijuar një besim të fuqishëm te zviceranët në vlerat e vjetra të shqiptarizmit, siç është paqja fetare, puna e ndershme, besa shqiptare, e cila në dyndjet më të mëdha të Evropës dëshmoi të jetë shtylla më e fortë e civilizimit evropian“, premton politikani me origjinë nga Kërçova.

Albinfo.ch: Ju po kandidoni për herë të parë dhe figuroni në listën e të nominuarve të PS-së në Argau. Si erdhi te përzgjedhja juaj si kandidat?

Florim Kadriu: Gjatë angazhimeve të mia politike gati trevjeçare si i pavarur, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka qënë e rastit të takohem me politikanë të ndryshëm zviceranë, pasiqë në iniciativat e mia pranë kancelarisë federale të Zvicrës kam kërkuar dhe ndihmën direkte nga antarë të Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, nga të cilët dhe më është sugjeruar inkuadrimi në një parti politike, ku kontributi dhe ideja individuale mund të avancohet me një shpejtësi dhe me një përkrahje shumç më të madhe. Pas një bisede të gjatë me kryetarin e partisë në Aargau dhe njëkohësisht deputetin nacional Cédric Wermuth, të dytë angazhimin e një shqiptari në parlamentin kantonal të Argaus e pamë jo vetëm të dëshirueshëm, por të domosdoshëm. Edhe pse lista zgjedhore për rrethin tim ishte mbyllur, në bashkëpunim me një koleg zviceran, ai ma lëshoi vëndin e tij në listë dhe unë fillova pa vonesë të përgatitem për fushatën zgjedhore.

Albinfo.ch: Sa kohë merreni me politikë dhe pse me PS?

Florim Kadriu: Drejtimi im politik, parimet e mia morale dhe njerëzore i pashë të pasqyruara më së miri në Partinë Social-Demokrate të Zvicrës, ku nga co-kryetarët dhe anëtarët në Aargau dhe në seksionin tim të Badenit jam pranuar me një vullnet jashtëzakonisht pozitiv, duke pasur dhe përkrahjen e politikanëve shqiptarë brenda PS-së, si Arber Bullakaj, Osman Osmani etj.
Kontakti im i parë me politikën ka qënë me impenjimin tim ndaj Ministrisë së Jashtme të Zvicrës për të ndërhyrë në çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe diskriminimin të dukshëm dhe masiv ndaj tyre në vitet e fundit, duke u angazhuar kundër iniciativës për dëbimin e të huajve në Zvicër, që ka qënë një kërcënim serioz i proporcionalitetit dhe ekuilibrave politike dhe shtetërore.

Gjatë mandatit si kryetar i Komitetit për migrantët në sindikatën Unia në Argau, unë dhe kolegët e mi bëjmë një punë të rëndësishme në këshillimin e punëtorëve me prejardhje jozvicerane, duke ua shpjeguar ligjet dhe rregullat dhe duke i përcjell nëpër procese të ndryshme, si p.sh. fitimin e shtetësisë zvicerane.

Albinfo.ch: Si po zhvillohet fushata elektorale, sa jeni ju aktiv, cilët janë votuesit që ju i kërkoni nëpër takime dhe me çfarë temash zgjoni vëmendjen e tyre?

Florim Kadriu: Fushata elektorale këtu në kantonin tonë fillon tetë javë para zgjedhjeve,dmth. ajo ka filluar. Nga interesimi i kandidatëve, dikush bën fushatë më shumë, dikush më pak.
Unë i përkas ati rrethi të kandidatëve, i cili qoftë në zgjedhje, qoftë në kohë pa zgjedhje, pranë studimeve dhe punës, provon të jetë aktiv në tema të ndryshme, që prekin interesin e përgjithshëm.
Vëmendja ime u takon më së shumti bashkëmoshatarëve të mi dhe të rinjve migrantë, të cilët fare pak, apo aspak nuk interesohen për politikën, proceset politike apo të jenë të angazhuar në ndonjë shoqatë sindikaliste, kulturore, humanitare etj.

Integrimi i shqiptarëve dhe i migrantëve në politikë dhe pranimi i tyre si faktor politik i barabartë do të jetë një detyrë „skëndërbeu“, frytat e së cilës dhe dobia për shoqërinë zvicerane dhe shtetin helvetik në tjetrën anë të peshores do të jenë të mëdha.
Temat të cilat unë trajtoj këtu në Zvicër janë të natyrës së të drejtave të punëtorëve, natyralizimin automatik të brezit të dytë dhe të tretë (si këshilltarë për natyralizime në PS në kantonin Argau), ndalimin e kursimeve të tepruara në sferat sociale, në arsim, në shëndetësi, etj.

Albinfo.ch: Dhe, për fund, ka shumë shqiptarë me të drejtë vote, si do t’ua kërkoni ju atyre mbështetjen, pse duhet t’ju votojnë ata juve?

Florim Kadriu: Shqiptarët në Zvicër individualisht janë shumë të fortë dhe kanë arritur pozita më të larta, që më gëzon jashtëzakonisht shumë dhe kombëtarja zvicerane është shembulli më i mirë i një integrimi të suksesshëm.
Kolektivisht puna duket se ka ngecur, i neglizhojmë në mënyrën më eklatante detyrimet tona shoqërore, nuk shkojmë të votojmë, nuk informohemi, nuk angazhohemi, nuk organizohemi, nuk mundohemi të ndikojmë mbi proceset për dobinë tonë, por i marrim si na servohen dhe pastaj nevozohemi kur s’na pëlqejnë.
Unë shpresoj që bashkëqytetarët tanë në rrethin e Badenit me shtetësi zvicerane do të më votojnë, sepse do të mundohem me krejt mundësitë e mia t’ua lehtësoj atyre jetesën në Argau, t’ua ngrejë imazhin me një poltikë të forte, por njerëzore, në foltoren e parlamentit kantonal, për të krijuar një besim të fuqishëm te zviceranët në vlerat e vjetra të shqiptarizmit, siç është paqja fetare, puna e ndershme, besa shqiptare, e cila në dyndjet më të mëdha të Evropës dëshmoi të jetë shtylla më e fortë e civilizimit evropian.

Albinfo.ch: Ata që nuk e njohin deri tanin Florim Kadriu!?

Florim Kadriu: Unë kam lindur në Baden të Zvicrës (ku tani kandidoj) në 1987, por diku në fund të 1988-ës jam kthyer në Maqedoni, ku pa ndërprerë kam jetuar deri më 2002, kur jam kthyer prapë në Zvicër. Shkollën fillore e kam kryer në Kërçovë në “Sande Shterjoski”, dhe pastaj vitin e parë në gjimnazin “Mirko Mileski” ose sot “Drita”, po ashtu në Kërçovë. Pas vitit të parë në gjimnaz kam shkuar në Zvicër diku 15 vjeç, punoj në Canon dhe studioj momentalisht në Cyrih informatikën biznesore. Te sindikata UNIA jam zgjedhur kryetar i të katër grupeve të migrantëve, pra shqiptarë, spanjollë, portugezë dhe italianë dhe në partinë SP (Sozial-Demokratische Partei) jam emëruar diku para 4 muajsh si kandidat për parlamentin kantonal në Aargau. Jam i martuar, pa fëmijë. Shtetësinë zvicerane e kam fituar më 2012.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img