Lajme

Në një pyll të thellë gjendet një plantacion me bimë narkotike (foto)

By FerizajPress

September 23, 2016

Siç ka njoftuar Policia, gjatë patrullimit të hetuesve policorë dhe gjatë vëzhgimit të terrenit zyrtarët policorë kanë hasur në një plantacion, ku kanë qenë të mbjella bimë narkotike që dyshohet të jenë të llojit Kanabis Sativa.

“ Ky plantacion i mbjellë është gjetur në thellësi të pyllit, me ç’rast janë gjetur të mbjella 48 bimë të dyshimta me gjatësi prej 60-120 cm. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe pas përfundimit të procedurave me urdhër të prokurorit është bërë asgjësimi i bimëve të dyshuara në vendin e ngjarjes”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Në rastin e dytë Policia e Kosovës, me datën 22 shtator 2016, në orën 20:30, në qytetin e Gjilanit, hetuesit e antidrogës kanë ndaluar një veturë, me ç’rast në brendi të veturës kanë gjetur të fshehura 51.2 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë. Me këtë rast është arrestuar: K. I, lindur me 1971.

I dyshuari i arrestuar dyshohet të ketë kryer veprën penale blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë. /Lajmi.net