Ferizaj.10.12.2016. Nga afër punimet në shtresën e dytë të asfaltit i ka inspektuar kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa së bashku me drejtorin e infrastrukturës, Gafurr Ilazin, por edhe me banorë të këtij fshati.
Me këtë rast kryetari Svarqa, është shprehur se asfaltimi i rrugicave në fshatin Koshare ka qenë një nevojë shumë e madhe për shkak të asaj, se në këtë fshat nuk është investuar në 17 vitet e fundit.
“Në kuadër të këtij projekti është bërë edhe rregullimi i shtratit të lumit dhe është bërë edhe ura e re. Mendoje se kështu po i hapin mundësi zhvillimore të këtij fshati, por në të njëjtën kohë do të kemi parasysh edhe investimet të tjera në këtë fshat. Në vitet në vazhdim ne do të kemi parasysh që të asfaltojmë edhe rrugicat e tjera, por do të bëjmë edhe ndriçimin publik në këtë fshat”, është shprehur kryetari Svarqa, duke shtuar se fshatin Koshare e presin edhe investime të tjera.
Nga ana tjetër banorët e këtij fshati, janë shprehur mirënjohës Komunës së Ferizajt që po bënë të mundur asfaltimin e rrugëve të tyre.
“Falënderojmë kryetarin Svarqa dhe të gjithë ata që na mundësuan asfaltimin e rrugës tonë. Ne në fshatin Koshare kemi qenë të lënë pas dorë dhe nuk kemi pasur projekte kapitale pothuajse asnjëherë”, ka thënë Valon Halimi, banorë i këtij fshati.
U bë e ditur se asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave në fshatin Koshare ka kushtuar rreth 200 mijë euro, ndërsa gjatësia e tyre është mbi 1 kilometër.