Mesditen e sotme, në ambientet e Teatrit “Adriana” ishin mbledhur qindra qytetarë në Akademinë Përkujtimore dedikuar 30 vjetorit të rënies së Dëshmorit të Kombit, Rexhep Aliu. Ishte kjo një ngjarje që u realizua me mbështetjen e Komunës së Ferizajt e për të cilën pjesëmarrës ishte vet i pari i Ferizajt, Agim Aliu, shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, zv.ministri Fehmi Mujota, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në nivelin qendror Xhavit Jashari si kryetari i kësaj shoqate në Ferizaj, Gafurr Bytyçi, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi e qindra pjesëmarrës tjerë.
Në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se vendi ynë dha shumë martirë e dëshmorë, gjaku i të cilëve, bëri Kosovën të lirë e të pavarur.
“Tash kur sapo mbyllëm derën e rëndë të dy dekadave të lirisë, gjurmët e gjakut, sakrificës e klithmat e lirisë, ende vërtiten kudo mes nesh. Janë retë e ngrysura, qielli lotonjës, pragpranvera që humbi kuptimin, kur tokës i falëm më të shtrenjtët tanë. Është Rexhep Aliu – shembëlltyra sesi në vlimet përvëlonjëse të zemërimit popullor kundër robërisë, në vitet ’89 dhe ’90 ra viktimë e barbarisë që zuri rrënjë në çdo fshat e qytet, lagje e familje. Edhe Rexhepi e çdo martirë, lirisë i dhanë shije tjetër. Njomën me gjakun e tyre, shpresën se çdo pëllëmbë e Kosovës, do të gëzoj një ditë lirinë. Qindra e mijëra martirët e rënë, ishin lajmëtarët se liria është afër, se Kosova do të çlirohej, se në mejdanin e lirisë po dilnin, dalëzotësit e Kosovës – trimat e trimëreshat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” tha mes tjerash Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Me fjalë përshëndetëse në këtë Akademi Përkujtimore të pranishmërve iu drejtua edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, Xhavit Jashari. Ai tha se heroizmi i djemve dhe vashave tona bëri që liria e pavarësia e Kosovës të bëhet realitet.
Ndër të tjerë folës në këtë akademi, kujtimet i evokoi edhe Hamdi Ndrecaj i cili vlerësoi lartë figurën e dëshmorit Rexhep Aliu. Falënderues për pjesëmarrjen e krenarinë që po i japin familjes, u shpreh vëllai i Rexhepit, Bashkim Aliu.
Me pika të ndryshme të muzikës burimore e folklorike shqipe, u mbyll kjo përkujtimore në 30 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit, Rexhep Aliu.