Sot futbolli kosovar ka marrë një lajm të hidhur. Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare Skënder Ramadani, ish futbollist dhe ish anëtar i Bordit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Federata e Futbollit e Kosovës përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen Ramadani.
E nderuara Familje Ramadani,
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin që në moshën 71-vjeçare ka ndërruar jetë më i dashuri juaj, Skender Ramadani, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, Komitetit Ekzekutiv, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Skender Ramadani dha kontribut të çmuar për futbollin e Kosovës. Ai në rininë e tij të hershme ishte pjesë e KF Ferizaj dhe në vitet e 70-ta ishte ndër futbollistët më të mirë ferizajas, duke qenë edhe kapiten i skuadrës. Ndërkaq, me përvojën dhe kapacitetet e tij intelektuale kontribuoi edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga regjioni i Ferizajt, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Sabri Hashani.
Skënder Ramadanin të gjithë e njohin si njeri me vlera të larta sportive dhe intelektuale. Ai gjithmonë ishte i afërt me sportistët dhe veçmas me talentet e rinj, të cilët i inkurajoi dhe i këshilloi për punë dhe disiplinë.
Prandaj, në këtë ditë të dhimbshme, jemi afër jush për ta përballuar më lehtë humbjen e kryefamiljarit tuaj!