03,05,2024

Ndërrohen kubëzat në sheshin e qytetit, vendosen ato që ishin paraparë me kontratë

Must Read

Komuna e Ferizajt po planifikon që t’i ndërroj kubëzat e shtruara në sheshin e qytetit, të cilat janë vendosur vitin e kaluar nga qeveria e LDK-së.
Drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, tha se kanë kërkuar nga kompania kontraktuese për rregullimin e sheshit që t’i ndërroj kubëzat pasi, sipas tij, ato nuk janë cilësore. Bytyqi thotë se në kontratë çmimi i këtyre kubëzave është 24 euro, ndërsa ato të cilat janë vendosur në shesh kushtojnë rreth 6 euro. Ai njoftoi se ndërrimi i kubëzave nuk do t’i kushtoj buxhetit të komunës, pasi rivendosja do të bëhet nga buxheti i kompanisë kontraktuese.
“Ne e kemi një kontratë të lidhur me një operator për çështjen e sheshit, edhe kjo kontratë sikurse të gjitha kontratat që janë lidhur nga qeverisja e kaluar nuk është e mirë për komunën e Ferizajt, si në aspektin teknik ashtu edhe në anën financiare nuk ka mbulueshmëri. Ne jemi duke bërë analiza për çështjen e sheshit, jemi në fazën përfundimtare, unë si drejtor kam marrë vendim për ndërrimin e komisionit mbikëqyrës, njëherit anëtarë të këtij komisioni dhe jemi duke studiuar cilësinë e sheshit, pasi që ankesat më të mëdha janë sa i përket cilësisë së punimeve që janë realizuar, kemi kontaktu me mbikëqyrësin, kemi kërku nga ai që të filloj punimet edhe për pjesën para, por edhe të filloj me ndërrimin e kubëzave të cilat janë vendosur, pasi janë jashtë paramasave që janë në kontratë’’, deklaroi Bytyqi.
Por, me këtë vendim të pushteti nuk po pajtohet Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj. Valon Halimi nga ky subjekt politik, tha se ky vendim i komunës flet për keqpërdorim të parasë publike.
“Ne mendojmë se me këto punë të cilat pushteti tenton të kthehet mbrapa dhe të bëj ndryshime tregon për një joseriozitet të punës tyre, tregon një keqmenaxhim të parasë publike dhe në interes të qarqeve të caktuara të pushtetit aktual. Kjo nuk është e drejtë, është një shesh që qytetarët janë duke e shfrytëzuar dhe është përshtat me ambientin, nuk mendoj që ka bazë ligjore dhe bazë të ekspertizës për të bërë ndryshime rrënjësore, duke nënkuptuar që çdo punë që bëhet mund të ketë hapësirë për përmirësime, por nuk duhet të merret si çështje e shkatërrimit total të këtij investimi, këtu është harxhuar paraja publike, është menaxhuar paraja publike dhe është kryer me procedura, dhe mendojmë që nëse këtë gjë vendos të bëj pushteti aktual është një moskoordinim dhe mosinteresim për të menaxhuar paranë publike me seriozitet”, u shpreh Halimi.
Megjithatë, me vendimin e komunës po pajtohet Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj.
“Ne si Lëvizje Vetëvendosje edhe në fillim e kemi cekur se sheshi është thuajse i panevojshëm, me ato 900 mijë euro kemi mujt me rregullu tërë mjekësinë familjare në Ferizaj dhe me i pajisë të gjitha qendrat me laboratorë. Mendoj se ne duhet me u kanë të kujdesshëm që mos me shpenzu paranë publike pa nevojë, nëse ndodh siç ka thënë drejtori që me u ndërru kockat me të njëjtin tender dhe të njëjtin prioritet atëherë mendoj se është në rregull edhe pse qytetarët e Ferizajt e kanë vuajtur ndërtimin e sheshit një verë të tërë me shumë pluhur e sidomos bizneset, andaj unë mendoj që ne duhet me e ndryshua gjendjen e kockave dhe të pjesës tjetër të sheshit dhe do të ishte mirë me u ndërru kockat, por pa e dëmtuar buxhetin e komunës”, theksoi Dritëro Hyseni.
Ndërkaq, sa i përket gropës e cila ka mbetur e hapur pranë objektit të komunës, drejtori i Infrastrukturës bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojnë punimet për ndërtimin e një fontane që është paraparë në këtë projekt, transmeton televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img