29,05,2024

Nderim Rexhaj, fizioterapeut i kombëtarës së Kroacisë: Kupa e këtij botërori do të jetë në duart e lojtarëve tanë !

Must Read

Nderim Rexhaj me prejardhje nga Cërca e Burimit të Kosovës ,është rritur dhe shkolluar në Varazhdin të Kroacisë. Qysh si nxënës i tetëvjeçares së bashku me moshatarët e tij ditët e vikendet i kalonte në shkallët e Klubit futbollistik “ Varteks” të Varazhdinit,atëbotë njëri nga ekipet më të mira të Ligës së Dytë Federative të ish- Jugosllavisë.

Krahas lojës Rexhaj me mjaft vëmendje vështronte edhe punën e stafit mjekësor të kësaj skuadre. Këtu sikur zë fill dashuria e tij e pa përshkruar dhe e pafundme për profesionin e fizioterapeutit.
Falë edhe mirëkuptimit të prindërve Aliut dhe Sofës të cilët e mbështesin dhe motivojnë për këtë profesion ai shumë shpejt e përvetëson teorikisht dhe praktikisht zanatin prej fizioterapeuti.

Rexhaj plot 22 vjet me shumë dashuri e përkushtim e bënë punën e fizioterapeutit në kombëtaren kroate të futbollit.

Kudo që ka udhëtuar me lojtarët e kësaj kombëtarje ai është ndjerë sikur në familjen e tij.

Sipas tij kombëtaren kroate për dallim nga kombëtaret e tjera e karakterizon serioziteti në punë dhe marrëdhënia e shkëlqyer me njëri-tjetrin.

Disiplina në punë dhe cilësia në lojë kanë bërë që të përzgjedhurit e zotit Zlatko Daliq, të mos ia kenë frikën asnjë kundërshtari.

Argjentina me Messin e shpërblyer pesë herë me “Topi i artë” e konsideruar nga shumëkush si pretendente për fitimin e Kupës së Kampionatit Botëror “Rusia 2018” u mposht lehtë e bindshëm nga djemtë tanë 0 me 3.

Ata që nga portieri Danijel Subashiq e deri te sulmuesi Mario Kovaçiq me lojën e tyre të bukur u dhanë leksion argjentinasve, të cilët nga të gjithë u vlerësuan si skuadër favorite karshi kombëtares kroate.

Madje reparti i mbrojtjes i prirë nga qendërmbrojtësi Vida Domagoj,lojtar standard i FC “Beshiktash “ i Turqisë ishte në nivel detyre, dhe funksionoi aq mirë thotë Rexhaj, sa që Lionel Messi, i njohur si lojtari më i mirë në botë, u paralizua në çdo përpjekje të tij për të shënuar gol.

Kroacia duke u shkaktuar debakël të thellë argjentinasve ua bëri me dije të gjithë prognozuesve që duhet të jenë të matur në parashikimet e tyre,sepse aty ku janë yjet si Luka Modriq, Ivan Rakitiq, Mario Manxhukiq, Mateo Kovaçiq, Ante Rebiq, Ivan Perishiq, Andrej Kramariq e deri tek sulmuesi i ri e mjaft i talentuar Marko Pjaca, që luan në FC “Schalke” të Gjermanisë, shënimi i golave është i mundshëm edhe në sekondin e fundit të lojës.

Po ashtu për unitetin dhe harmoninë në kombëtaren tonë thotë fizioterapeuti Rexhaj, flet edhe prania e Presidentes sonë në “Rusia 2018” Kolinda Grabar-Kitaroviq .

Ajo përveç që po e përcjell rrjedhën e deritanishme të këtij Kampionati me gjithë befasitë e mundshme mendon se Kupa e kësaj ngjarje të madhe sportive duhet t’i takojë Kroacisë, e cila në çdo ndeshje ka manifestuar lojë të mrekullueshme, duke u treguar si një nga ambasadorët më të mirë të vendit të saj.

Se vërtetë gjithë bota është përqendruar kah kombëtarja kroate dëshmon edhe ftesa e një televizioni të njohur rus drejtuar Presidentit të Federatës kroate Davor Shuker, dikur futbollist i dalluar i reprezentacionit të ish- Jugosllavisë,dhe golashënues më i mirë i të gjitha kohërave i FC “ Osjek” të Sllavonisë lindore.

Kryeprotagonisti i këtij rrëfimi Nderim Rexhaj, pjesë e personelit mjekësor të kombëtares kroate,duke analizuar nëpër vite lojën e bukur të futbollistëve kroatë pohon që Kroacia,jo vetëm tani por edhe në të kaluarën ka qenë burim i pashtershëm i talentëve të futbollit.

Ai kujton edhe periudhën kur edhe në ish-Jugosllavi ,fjalën kryesore e kishin futbollistët kroatë të formuar në Dinamo, Hajduk, Rijekë e Osjek, pa të cilët kompozimi i çfarëdo formacioni as që mund të vinte në shprehje.

I pyetur se si ai do të veprojë në rast lëndimi të ndonjë lojtari të kombëtares kroate thotë: “lëndimin e lojtarëve tanë unë dhe gjithë stafi mjekësor i skuadrës sonë e ndjejmë me shpirt dhe e marrim sikur ta kishim pësuar vetë”.

Në ato çaste tërë dijet tona mundohemi t’i fusim në riaftësimin e lojtarëve të lënduar.

Kur kemi të bëjmë me lëndime serioze dhe të rënda ndihem në siklet të pashpjegueshëm, veçmas kur ato lëndime shkaktohen me ndonjë paramendim apo ndërhyrje të qëllimshme.

Atëherë çdo gjë humb karakterin e një ndeshje fer dhe sportive. Me fjalë të tjera thotë Rexhaj më s’kemi të bëjmë me humanen dhe njerëzoren. Paaftësimi i qëllimshëm i lojtarit kundërshtar është gjest i ultë dhe i pafalshëm.

Të gjitha ata që e njohin zotin Rexhaj thonë që edhe emri që ai mban i rri bukur, sepse ai vërtetë nderon dhe nderohet kudo. Sjelljet e tij të matura dhe fjalët e ëmbla bëjnë që Nderimi edhe jashtë kombëtares kroate të jetë i dashur dhe i respektuar, si nga shokët ashtu edhe miqtë e tij të shumtë gjithandej Kroacisë./ARIF EJUPI/Botapress.info

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet një person në Ferizaj, i dyshuar se ka kryer rrëmbim të një personi në Fushë Kosovë

Me datë 25.05.2024 rreth orës 09:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë me telefon nga një femër...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img