Shkrimtarë, publicistë dhe aktivistë social ishin mbledhur mbrëmë në një nga majat e Jezercit nga ku ofrohen pamje magjepsëse të qytetit tonë, në nisjen e edicionit të tretë të Kolonisë Letrare, tashmë tradicionale “Muzat e Jezercit”.
Të ftuar që t’i bashkoheshin këtij manifestimi që mbrëmë ngreu siparin ishte edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica.
Kryetari Aliu në një fjalë të shkurtër përshëndetëse tha se Ferizaj është qyteti me diversitetin më të madh në vend, qytet i ngjarjeve identitare e madhështore kulturore, si kjo e organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj.
Gazmend Bytyçi, kryetar i Klubit Letrar “De Rada” i uroi mirëseardhje krijuesve e artistëve që kishin marr rrugën nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Medvegja e qendra tjera të Kosovës për të marr pjesë në këtë ngjarje.
Përveç mysafirëve të shumtë nga viset shqiptare në gjeografinë tonë kombëtare, mysafir i veçantë i këtij edicioni është poeti i kalibrit botëror, Xhevdet Bajraj. Klubi Letrar “De Rada” vitin që shkoi pati botuar librin e tij me poezi “Kur qajnë hardhitë” me të cilin morën dy çmime të rëndësishme si Medaljoni i Kristaltë nga Shoqata e Shkrimtarëve në Diasporë dhe libri më i mirë me poezi nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë.
Nën tingujt e kitarës dhe zërit brilant të këngëtarit të mirënjohur Osman Shehu, u hap dita e parë e edicionit të tretë të këtij organizimi, për të vijuar me ditën e dytë të saj ku do të bëhet promovimi i botimeve të Klubit Letrar “De Rada”, sheti nëpër Jezerc si dhe diskutim mbi temat trajtimi i akualitetit në letërsinë e sotme shqipe e standardi, dialektet dhe të folmet në letërsinë shqipe.