Fasadat e pajeta dhe ngjyrë gri të qytetit të Ferizajt, viteve të fundit janë kthyer në vepra arti.
E gjithë kjo po bëhet në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Mural Fest”, i cili ka nisur të mbahet në qytetin e Ferizajt. Edhe në këtë edicion i cili është i pesti me radhë, nuk do të mungojnë muralet të cilat do t’i japin ngjyrë qytetit.
Drejtuesja e këtij festivali Lebibe Topalli, tha se edhe pse këtë vit do të punohet në gjendje pandemie, nuk ka munguar interesimi i artistëve të huaj për pjesëmarrje. Ajo njoftoi se këtë vit do të ketë më tepër punime sesa viteve të tjera dhe edicioni do të zgjat më shumë.
“Ne kemi dalë me publikim që jemi ”Mural fest” dhe world projekt dhe kuratori është nga Amerika i cili ka bërë përzgjedhjen e artistëve bashkë me ne, janë 16 artistë këtu që sivjet kanë ardhur dhe ka nga Amerika, por edhe nga Evropa, po ashtu në mesin e këtyre artistëve është edhe një skulptor me emër i cili do të lë në vendin tonë një vepër artistike. Edhe pse është pandemi karakteristike është se ky edicion është më i madhi se të gjitha edicionet e tjera, edhe pse i kemi anuluar takimet, mbrëmjet, por i kemi shtuar punëtoritë e ndryshme ku çdo ditë do të ketë work shop ku të rinjtë do të marrin eksperiencë nga artistët e huaj, ndërsa murale do të ketë më shumë se 6, ndër to mural është duke u bërë tek nënkalimi”, tha Topalli.
Topalli tregon për sfidat me të cilat po ballafaqohen këtë vit.
“Përveç që është i kushtueshëm, festivali ka disa mjete specifike, më së shumti kemi probleme me lifte ose krane, artistët kërkojnë lifte dhe tek ne është problem me i gjetë, prandaj unë i falënderoj bizneset që po na dhurojnë lifte pa kompensime”, theksoi Topalli.
Ndër artistët e huaj që kanë ardhur të realizojnë punime në Ferizaj është edhe Emilio Cerezo nga Spanja.
“Murali im nuk shpjegohet, sikurse muzika që nuk shpjegohet ashtu është edhe ky mural që jam duke e bërë. Këtu jam për herë të parë dhe ende nuk kam pas mundësi me pa këtë qytet, pasi nuk kam lëvizur shumë nga hoteli deri këtu, kurse sa i përket pandemisë nuk e kam pas problem pasi është njëjtë sikur në Spanjë”,tha Emilio Cerezo.
Tema e edicionit të sivjetmë është “Ndryshim”, ndërsa pos muraleve dhe work shopeve, në kuadër të festivalit do të ketë edhe ekspozitë fotografie me temën e këtij edicioni, transmeton Televizioni Tema.