28,11,2024

Mjete tymuese e vezë në protestën e maturantëve para komunës

Must Read

Ky grup i nxënësve me pipa fishkëllyes po bën zhurmë para  shkollës së mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj. Derisa nxënësit e klasëve më të ulëta po zhvillojnë mësimin nëpër  klasë, maturantët e kësaj shkolle po protestojnë pas një vendimi të Drejtorisë së Arsimit për ta shtyer për në pranverë eskursionin e maturantëve për në Shqipëri. Por, kjo nuk është shkolla e vetme ku maturantët po protestojnë, aktivitete të ngjashme janë zhvilluar në shumicën e shkollave të mesme të qytetit.

“Ne mendojmë se kemi të drejtë sikurse edhe gjeneratat e kaluara që eskursionin ta bëjmë tani në vjeshtë, përndryshe në pranverë është një barrë më e madhe për familjet tona, pasi që atëherë ne duhet të përgatitemi edhe për mbrëmjen  e maturës, regjistrimet në fakultete e shumë shumë obligime të tjera. Prandaj ne me këtë protestë po dëshirojmë t’ia rikujtojmë Drejtorisë së Arsimit se eskursionin dëshirojmë ta zhvillojmë tani sepse jemi përgatitur”, tha një maturante e mjekësisë pa dashur ta tregoj emrin.

Prej shkollave, në orët e pasditës protestat e maturantëve vazhduan para objektit të komunës. Aty morën pjesë numër i madh nxënësve prej shumicës së shkollave të Ferizajt. Revolta e tyre shkoi deri te hedhja e mjeteve tymuese dhe vezëve në drejtim të komunës. Ata kërkonin përgjigje nga zyrtarët komunal, por para tyre nuk doli asnjëri nga ta.

“Ne po presim që para nesh të dalë ose drejtori i arsimit ose kryetari. Nuk po duam asgjë më shumë thjesht të drejtën tonë që ta kemi edhe ne eskursionin. Pse veç neve me na u ndalë tani kur të gjithë para nesh kanë shkuar. Askush nga maturantët nuk është kundër, kjo është e padrejtë. Këtu është dashtë të dalin të na japin sqarim, pse askush s’po del”, tha Blerona Rexhepi nga gjimnazi ”Dr.Shaban Hashani”.

 

Përballë protestuesve ishin pjesëtarët policorë, ku herë pas here i kapnin disa protestues më problematik dhe me forcë i futnin brenda objektit të komunës. Në çantat e disa prej nxënësve gjetën edhe armë të ftohta.  E dikur pas një ore,  protestuesit filluan të shpërndahen.

I intevistuar nga TV TEMA, drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se eskursioni është shtyer me qëllim që gjatë kësaj periudhe kohore të gjitha institucionet kompetente të zhvillojnë debate lidhur me mënyrën se si do të organizohet ky lloj eskursioni në të ardhmen. Ai  tregoi se ky vendim vjen pas shumë informacioneve që vajtja në Shqipëri e ka devijuar qëllimin.

“E dimë që ka filluar ta humb at karakterin  të cilin duhet ta ketë eskursioni. Në takimin që kemi pasur me këshillin e prindërve ndër temat e tjera ka qenë edhe eskursioni dhe mendimi i tyre ka qenë se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim për ta ndryshuar formën e eskursionit. Po ashtu unë kam mbajtur takime edhe me mësimdhënës, me drejtorë, por edhe prindër, ku të gjithë janë ankuar se mënyra e eskursionit ka devijuar duke u shkaktuar edhe dukuri negative atje nga nxënësit. Thjesht deri atëherë ne kemi me vendos për ta ndryshuar formën e organzimit, për shembull ka ide që eskursioni të zhvillohet vetëm gjatë një vikendi, apo edhe vetëm gjatë një dite ku do të vizitohen disa nga qytetet me interes, por ende jemi në konsultime dhe kjo do të vendoset së bashku”, tha Llabjani.

Ideja për ndryshimin e mënyrës së organzimit të eskursionit po i pëlqen më së shumti Këshillit të Prindërve. Kryetarja e Këshillit komunal të Prindëve në Ferizaj, tha se për familjet e këtushme këto eskursione janë një barrë e madhe.

“Ne kemi një vit që diskutojmë për ta ndryshuar formën e organzimit të eskursionit, tash gjatë kësaj periudhe do të zhvillojmë mbledhje me prindër për të kuptuar saktë se cila është mënyra më e mirë për të gjithë. Arsyeja pse ndoshta në shtator të mos mbahen këto eskursione është fakti që maturantët po e lëshojnë mësimin duke e pas si preokupim të parë eskursionin”, Zejnepe Hysenaj.

Përveç  dukurive negative nga nxënësit, shpesh në qarqe të këtushme është folur që për organizimin e eskursioneve në Shqipëri ka pasur edhe keqmanaxhime financiare nga vet drejtorët e shkollave me kompanitë kontraktuese.

“Ne nuk kemi informacione të tilla, nuk kemi ndonjë gjë konkrete në këtë drejtim, po si parregullsi kemi vërejtur vetëm dukuritë që kanë ndodhur atje, për të tjerat ne nuk kemi asnjë akuzë konkrete që do të duhej të marrim masa, problemi i vetëm është tek nxënësit që ne patjetër duhet të marrim masa”, tha drejtori Afrim Llabjani.

Derisa Drejtoria e Arsimit ka marrë vendim të prerë për shtyrje të eskursionit, nxnësit kanë paralajmëruar protesta të tjera dhe mosmbajtje të mësimit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img