Ishte menduar si zgjidhje më e mirë sesa thëngjilli, por peleti del se mund të jetë më i rrezikshëm.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me peletin që importohet në vend. E dyshimet shtohen kur ky produkt vjen nga Serbia.
Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka shprehur dyshime se peleti i importuar mund të ketë edhe përbërje të dëmshme, sidomos ai që vjen nga shgteti fqinj.
Kjo për faktin se kjo lëndë djegëse, përmban gomë dhe thëngjill.
Në një deklaratë për KosovaPress, Matoshi ka thënë se nevojitet mobilizimi i institucioneve përkatëse në mënyrë që të kontrollohet cilësia e kësaj lënde djegëse.
“Kemi informacione që peleti që importohet nga Serbia është po ashtu shumë i dëmshëm, sepse ka në përbërje gomë dhe plastikë në sasi të madhe që kur digjet liron gazra, është po ashtu jashtëzakonisht i dëmshëm. Kështu që, kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të shtojë kontrollin nëpër pikat kufitare për të kontrolluar edhe cilësinë e peletit. Pra, mbeten alternativa e rrymës, mbetet alternativa e druve, peletit dhe alternativa tjera, por sidomos institucionet publike duhet të heqin dorë nga përdorimi i thëngjillit”, tha Matoshi.
Edhe kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, thotë se peleti mund të jetë një nga shkaktarët e ndotjes së ajrit në vend.
Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se janë duke hetuar peletin, por se thotë se kjo më shumë bie në përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë.
“Një problem që Agjencia është duke e hetuar është edhe produkti i peletit. Ne jemi duke dyshuar, kemi pasur kontrolle në disa restaurante në të cilat kemi parë tym në oxhaqe, dhe na kanë paraqitur peletin e certifikuar. Është produkt që duhet të kontrollohet nga Ministria e Tregtisë. Dhe, si duket ka produkte shtesë në atë pelet që të ketë energji më shumë. Ose ka vajra ose thëngjill, që faktikisht mund të jetë shumë i pashëndetshëm. Mund të jetë më i pashëndetshëm sesa thëngjilli që e përdorim”, tha Morina.
KosovaPress është interesuar të marr përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me atë se çfarë rreziku paraqet peleti i përzier me gomë apo thëngjill për shëndetin e qytetarëve.
Por drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, ka thënë se deri më tash nuk kanë kryer analiza rreth kësaj çështjeje.
“Instituti Kombëtar nuk ka kryer analiza rreth çështjes në fjalë, lidhur me këtë ju duhet të kontaktoni zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e tij.
Ndryshe, KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe kryeinspektorin e Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Aktualisht një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ngrohen me këtë lëndë djegëse dhe çmimi për një ton pelet fillon nga 189 euro deri në 218 euro. /Telegrafi/