Ferizaj

Ministria e Arsimit: Greva është e papranueshme, shkel të drejtat e fëmijëve për arsimim


Publikuar më:


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim i dëmton nxënësit.

Në një konferencë për media ajo theksoi se humbja e mësimit shkel të drejtën e nxënësve për arsim.

Sipas Nagavcit, MASHTI ka ndërmarrë një sërë veprimesh deri tash që ka plotësuar kërkesa të mësimdhënësve dhe se po punon në vazhdimësi për këtë.

“Kemi ndjekur deklarimet e ditëve të fundit që Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevën më 25 gusht, duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës, vetë këto që i përmenda janë disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë që të lehtësohet puna e mësimdhënësve. Mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi po punojmë që të ofrojmë mbështetje për mësimdhënësit dhe përmirësimin e rezultateve në arsim”, tha ajo.

Nagavci ka thënë se MASHTI në koordinim me komunat, drejtoritë e arsimit dhe shkollat kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor. Tha se është përmirësuar infrastruktura fizike në shumë shkolla, teksa dha informacione për përgatitjet për vitin shkollor.

“Sivjet të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do të pajisjen me tekste të reja, ndërsa vitin e ardhshëm të njëjtat do t’u përcillen nxënësve të klasave vijuese. Kemi përmirësuar infrastrukturën fizike në shkolla duke pajisur një numër të shkollave me kabinete, laboratorë, me salla të edukatës fizike, pajisje për mirëmbajtje të shkollave dhe materiale të ngjashme. Gjatë këtij viti patëm paraparë buxhetin për punësimin e 100 asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta, dhe tash për vitin 2023 kemi miratuar buxhetin për punësimin e 300 asistentëve në institucionet edukativo-arsimore”, tha ajo.

To Top