29,12,2024

Mega koalicioni dhe rrjedhat politike

Must Read

Shkruan : Ardian Sejdiu
Zgjedhjet e fundit Parlamentare 2014, nxorën në dukje vetëdijen politike të politkbërjes kosovare përballë interesave shtetërore dhe detyrimet ndaj qytetarëve. Fushata zgjedhore e asaj kohe ( si zakonisht), karakterizohej me premtime astronomike nga të gjitha subjektet politike, e në anën tjetër, elektorati kosovarë si çdo herë, mes shpresës dhe zhgënjimit, i entuziazmuar pas disa figurave politike (subjekteve) ja mësynë kutive të votimit.
Por, ende pa përfunduar mirë numërimi i votave doli në pah vetëdija politike (minimale) dhe egoja e lidershipit kosovarë, me ç’rast harruan se kanë detyrime kushtetuese ndaj shtetit dhe qytetarëve… Plotë gjashtë muaj barrikadim; akuza të ndërsjella nga më të ndryshmet, predisponime për deklasime politike përfundimtare, fajësime për vrasje politike dhe për krim të organizuar.
I tëri ky diskurs politik i skenës politike kosovare ishte dhe do mbetet një tregues i qartë për elektoratin se në çfarë niveli-vetëdije politikë është lidershipi ynë. Vakumi institucional i asaj periudhe kohore përveç se e përmbysi vullnetin dhe shpresën e popullit, ai i kushtoi Kosovës edhe në arenën politike ndërkombëtare duke i dhënë hapësirë manovrimi dhe avancimi eksponentëve serbë.

Këta të fundin, forconin radhët e tyre në lobin ndërkombëtarë duke deponuar në kurriz të Kosovës, madje duke hartuar strategji me pasoja afatgjate, siç janë Gjykata Speciale dhe Asociacioni. Po në atë periudhë të ngërçit institucional, mbi 80.000 qytetarë lëshuan vendin si pasoj e gjendjes ekonomike. Për ta tejkaluar krizën- vakuumin institucional, dhe për t’i dhënë përgjigjeje nevojave imediate të qytetarëve, u tha, se duhet të kurorëzohet një koalicion mes dy subjekteve më të mëdha të vendit PDK-LDK. Edhe ky opsion u realizua, por, jo pa pasoja, madje me kundër efekt dhe ndasi në elektorat.
Nga ky “ mega” koalicion kuantitativ nuk u arrit asnjë objektiv që do ta forconte pozitën e Kosovës përballë rrjedhave politike brenda dhe jashtë Ballkanit; FSK-ja nuk u transformua në USHTRI, marrëveshja për Liberalizimin e Vizave nuk u arrit (për me keq, u kompleksua deri në atë masë sa që kushtet e BE-së do jenë të pa përballueshme), përmes bisedimeve Kosovës ju imponua marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, Kuvendi miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale, të gjitha këto të “ arritura” u bënë me vullnetin e mega-koalicionit PDK-LDK dhe partnerëve të tyre. Tani, ajo çfarë na shqetëson dhe mbjellë skepticizëm është rëndimi, përçarja dhe kontaminimi i skenës politike. Kjo situatë brenda spektrit politik do thellohet edhe më shumë gjatë fushatës elektorale ( mars 2017 ? ) dhe do ta dezorienton politikbërjen në qasjen për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet populli dhe Shteti.

Në funksion të tejkalimit të kësaj klime, mendoj se, modifikimi i kodit zgjedhorë përkitazi me censurimin e listave për deputet e ministra do shënonte një kthesë pozitive drejtë pastrimit kuadrove të spektrit politik. Sa është e realizueshme, mbetët në ndërgjegjen e liderëve të subjekteve politike.

Po ashtu, zbritja e pragut zgjedhorë nga 5% në 2.5% do ta pasuronte skenën politike dhe do t’i parandalonte kombinatorikat monopoliste.

Ky është hap modest por i rëndësishëm drejt konsolidimit të pluralizmit si mekanizëm i demokracisë parlamentare
11.11.2016, Ferizaj. .

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img