“Nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan. Kjo do të sillte probleme”, kishte thënë Merkel fillimisht para disa ditësh.
Por deklarimi i fundit nga kancelarja Merkel ishte pak sa më i zbutur. Ajo tha se Gjermania i mbështet të gjitha bisedat që mund të sjellin zgjidhje finale, transmeton lajmi.net.
“Ne natyrisht se i mbështesim të gjitha bisedat, që mund të çojnë drejt qëllimit, por në të njëjtën kohë, themi se integriteti territorial ashtu siç është tani është një vlerë e rëndësishme”, tha Merkel.
E mediat serbe këtë ndryshim të lehtë në qëndrimin e Merkel po e vlerësojnë se ka ardhur pas deklaratave të këshilltarit të Trumpit, John Bolton.
Ky i fundit kishte thënë se çdo zgjidhje që pranohet nga Prishtina dhe Beogradi, është në rregull.
Sipas burimeve të gazetës serbe Blic, në qëndrimin e Merkel kanë ndikuar edhe fjalët e Bolton, por edhe të komisionerit Johanes Hahn.
“Nëse të dy palët e përfshira në dialog arrijnë marrëveshje dhe nëse një marrëveshje e tillë nuk e destabilizion Ballkanin, atëherë nuk përjashtohet që Gjermania ta ndërrojë mendjen. Si për BE-në ashtu edhe fuqitë perëndimore, është e rëndësishme që zgjidhja të mos ketë efekt-domino”, thonë burimet e gazetës serbe.
E gjithë këtë ndryshim te shtete e fuqishme po e cilëson si fitore të diplomacisë serbe, ministri jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Ky i fundit vazhdimisht ka përmendur shkëmbimin e territoreve si mundësi për zgjidhjen përfundimtare.
Për të diskutuar për zgjidhjen finale Kosovë-Serbi, dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq do të takohen më 7 shtator në Bruksel. /Lajmi.net/