Dhjetëra qytetarë, përfaqësues e drejtues të forcave politike e institucioneve të shtetit, shoqata të dalura nga lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve e invalidëve të UÇK-së, të prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorë të drejtorive komunale, mëngjesin e sotëm bënë homazhe në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në nderim të jetës, veprës e sakrificës së Dëshmorëve të Kombit, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ditëlindjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Me përkuljen pranë varreve të dëshmorëve, vendosjen e buqetave të luleve dhe nderimin pranë lapidarit të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ferizaj shënoi 28 Nëntorin, për nder të së cilës, ndonëse në rrethana pandemike, pa pjesëmarrjen e publikut, mbrëmë u dha drejtpërdrejt edhe koncerti i përgatitur nga AAKV “Kastriotët” – Festivali i Këngës Popullore – “Kosovarja Këndon”.+11