Ferizaj. 16.03.2019. Sot në Ferizaj është mbajtur një punëtori në kuadër të projektit “Rinia e shëndosh, ardhmëri e sigurt” e financuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale , e përkrahur nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe e implementuar nga IPEDU.
Në këtë punëtori, në të cilën u shqyrtuan mundësit dhe mënyrat për trajtimin e rasteve problematike të adoleshentëve morën pjesë mësimdhënës të shkollave të mesme , këshilltarë dhe psikolog të shkollave të mesme.
Në këtë punëtori u diskutua për trajtimin e këtyre rasteve dhe u shkëmbyen edhe përvojat e menaxhimit të rasteve të ndryshme të cilat po e përcjellin arsimin e mesëm në Ferizaj.
“Ky trajnim ka pasur për qëllim që përveç ligjëratave të cilat u mbajtën nga profesionistët e fushës mësimdhënësit u informuan edhe për hapjen dhe funskionalizimin e Qendrës Këshilluese e cila funksionon në kuadër të organizatës IPEDU. Në këtë trajnim u trajtuan edhe temat për problemet e adoleshencës, çrregullimet në sjellje të nxënësve dhe edukimin prosocial” tha z. Ramush Lekaj, Drejtor i programeve në IPEDU.
Në këtë trajnim organizatorët ligjëruan temat në lidhje me problemet të cilat më së shumti shfaqen tek mosha e adoleshencës.
“Është një trajnim, përmes të cilit jemi munduar të trajtojmë temat më aktuale të adoleshencës dhe mënyrat e menaxhimit të këture rasteve nga mësimdhënësit “ ka thënë Njazi Bytyqi, koordinator i projektit.
Ky trajnim u mirëprit edhe nga mësimdhënësit pjesëmarrës të cilët gjatë punëtorisë paraqitën shumë raste me të cilat po përballen nxënësit e shkollave të mesme si dhe mënyrat se si i kanë menaxhar këto raste.