26,12,2024

‘Maqedonia është shtet i robëruar, i duhet urgjent qeveria’

Must Read
Maqedoni

Mandatari për formimin e qeverisë është i detyruar, që në afat prej 20 ditëve të propozojë përbërjen e qeverisë dhe programin qeveritar ta dorëzojë në Parlament. Dy partitë më të mëdha maqedonase janë vënë në aktivitet të heshtur politik për të arritur numrin e mjaftueshëm për formimin e shumicës parlamentare.

Partitë maqedonase të përmbajtura për koalicionet e mundshme

Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, partisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve, kanë deklaruar se nuk do të fillojnë negociatat me subjektet shqiptare pa marrë mandatin nga presidenti për formimin e qeverisë. Rezultati i ngushtë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, nuk i jep mundësi VMRO-së që ta krijojë e vetme kabinetin e ri qeveritar, ndaj edhe në paraqitjet para opinionit ajo tregohet e përmbajtur lidhur me kombinimet e mundshme.

“Menjëherë pasi të marrim mandatin do të fillojmë me negociatat dhe do të bëjmë përpjekje maksimale për formimin e qeverisë, pasi e kemi për obligim të bëjmë gjithçka të mundur për të realizuar programin, të cilin e kanë votuar qytetarët”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-së, Ivo Kotevski. As në LSDM nuk komentojnë platformën e paralajmëruar nga partitë shqiptare. Jozyrtarisht thonë, se është joserioze të ndërtojnë qëndrim partiak për një situatë të supozuar.

Unifikimi i qëndrimeve të partive shqiptare në udhëkryq

Më së voni deri më 7 janar partitë shqiptare duhet të ratifikojnë platformën e përbashkët, ndërsa më pas kreu i BDI-së Ali Ahmeti pritet të ftojë takimin e radhës me liderët shqiptarë. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, ftoi edhe PDSH-në që t’i bashkëngjitet tryezës së përbashkët.

“Sipas marrëveshjes së arritur deri më 7 janar të gjitha kryesitë e partive politike nënshkruese të memorandumit duhet ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Me këtë përfundon faza e parë e bashkërendimit dhe arrihet qëllimi i bashkëpunimit të partive politike shqiptare për këtë fazë”, është shprehur Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së. Ai edhe një herë ka përsëritur qëndrimin, se BDI-ja pa miratimin e kësaj platforme nga partitë shqiptare nuk do të fillojë negociata për koalicionim me subjektet maqedonase.

Konstelacione të shumta – epilogu i pasigurtë

Raporti i forcave politike në Parlamentin e ri me numrin e mandateve të fituara ka krijuar një polarizim të skajshëm të situatës paszgjdhore për formimin e qeverisë së re, vlerëson eksperti juridik Osman Kadriu.

“Nga numri i mandateve të fituara tani për tani asnjëra nga partitë politike nuk është e sigurtë të formojë qeveri. Meqenëse asnjëra prej partive nuk ka mandate 61 të mjaftueshme, atëherë sipas kushtetutës, kryetari i shtetit duhet të caktojë përfaqësuesin e partive në koalicion. Në Parlament nuk ka koalicion të partive, e ndërkohë skadon afati 10 ditor për dorëzimin e mandatit”, thotë Osman Kadriu.

Analisti Andreja Stojkovski thotë, se qeveria duhet sa më shpejtë të formohet, sepse Maqedonia si shtet për një periudhë më të gjatë nuk do të mund të funksionojë pa kryeministër dhe pa kabinetin qeveritar.

“Maqedonia është shtet i robëruar, institucionet e së cilës ose nuk funksionojnë ose janë jashtëzakonisht të dobëta, që u janë nënshtruar presioneve, ndikimeve dhe kontrollit. Maqedonisë i nevojitet qeveri politike, e cila ka mandat nga qytetarët dhe nga partitë politike. Ajo qeveri duhet të zbatojë reforma për çlirimin e shtetit, kthimin e sundimit të së drejtës, duhet të japë garanci për funksionimin e Prokurorisë Speciale”, shprehet Andreja Stojkovski.

Analisti Ismet Ramadani thotë, se BDI-ja e ka të qartë se shqiptarët në zgjedhje me votat që i dhanë LSDM-së, por edhe me përgjysmimin e mandateve të saj, kanë votuar kundër një koalicioni me VMRO-në. Koalicioni më realist në një situatë të tillë do të ishte ai mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Këtë qëndrim Ramadani e mbështet në programin dhe deklarimet e vazhdueshme të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura etnike, përfshirë edhe të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

“Kam përshtypjen në bazë të paraqitjeve të tij dhe qëndrimeve konceptuale, se pika të cilat dolën në opinion nga partitë shqiptare pas takimit në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, mund të realizohen nga Zoran Zaevi. Mendoj se gjasat më reale janë që ai me partitë shqiptare do të formojnë qeverinë e re”, thotë Ismet Ramadani.

Në qoftë se ndodh që në dy afatet e përcaktuara me ligj asnjëra prej partive politike të mos arrijë të sigurojë numrat për formimin e qeverisë së re atëherë mund të ndodhë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. /DW

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img