Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se në parim, koalicioni me Vetëvendosjen ka ndodhur, por po diskutohen vetëm detajet e marrëveshjes.
E ka konfirmuar takimin e së premtes mbrëma ndërmjet ekipeve të LDK’së dhe Vetëvendosjes, por s’e ka treguar vendin ku i shtrënguan duart Isa Mustafa e Albin Kurti.
“Nuk mund të flas për vendin dhe mënyrën se si liderët komunikojnë. Por, takimi i fundit ka qenë i formatit ekipor”, ka thënë Haziri, në një intervistë ekskluzive për Express.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se dy partitë tash kanë mbetur t’i zhvillojnë konsultimet për t’u ulur në një takim të ri dhe për ta nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Qeverisë së re.
“LDK s’e ka diskutuar asnjëherë dhe ka ndërtuar standardin se fituesi e merr Kryeministrin, ndërsa ne si parti e dytë, në këtë rrafsh, do të duhej të na takonte pozita e Kryeparlamentarit”, ka thënë Haziri në një intervistë për Express.
Njeriu i dytë në LDK për një kohë s’ka dalë në publik pasi i ka pasur disa probleme shëndetësore që tashmë i ka tejkaluar. Lutfi Haziri ka folur edhe për fushatën që dikur Vetëvendosja ia bënte atij dhe tash Agim Veliut.
Ka thënë se partia e themeluar nga Ibrahim Rugova asnjëherë s’do të shndërrohet në plastelinë e as trampolinë për dëshira të asnjë partie e individi.
“Por nuk do të lejojmë që LDK’në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK’ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët“, ka shtuar Haziri.