Gjatë ditës së sotme Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, ka mbajtur një takim me drejtorët e shkollave të Ferizajt dhe përfaqësues të prindërve.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Policia Rajonale e Ferizajt dhe udhëheqës të Këshillit të Prindërve në Ferizaj.
Në këtë takim, Drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka njoftuar të pranishmit për gjendjen në shkollat e Ferizajt dhe masat që janë marrë që mësimi të zhvillohet normalisht sipas udhëzimeve të MASH dhe rekomandimeve të IKSHP-së.
Llabjani tha se janë kryer të gjitha përgatitjet, aq sa kanë mundësuar kushtet për shkak të pandemisë dhe mundësive buxhetore.
“Kemi punuar shumë që viti shkollor të filloi sa më mirë dhe duke i respektuar udhëzimet e MASh dhe rekomandimet e IKSHP-së. Për përgatitjen e mirë dhe gatishmërinë e shkollave për fillimin e mbarë të vitit shkollorë kemi marrë vlerësim pozitiv edhe nga Ministri i Arsimit, Ramë Likaj. Vonesa e tri shkollave, njëra për shkak të infektimit të Drejtores me coronavirus dhe dy shkollave për shkaqe teknike nuk mund të zhvlerësojë punën e mirë dhe gatishmërin e të gjitha shkollave për fillimin e vitit të ri shkollor.” Ka thënë Llabjani.
Llabjani ka njoftuar drejtorët e shkollave se edhe buxheti i ndarë nga Ministria e Arsimit për masat anticovid tashmë ka arritur në komunë dhe shumë shpejtë do të bëhen intervenime atje ku janë të nevojshme në pajisjen e shkollave me materiale mbrojtëse.
Gjithashtu Llabjani ka bërë të ditur se pas dyshimeve që një klasë në shkollën fillore “Gjon Serreçi” janë të infektuar me coronavirus, ata janë testuar dhe të gjithë nxënësit kanë rezultuar negative dhe nuk ka vend për panikë.
Ndërsa oficerët policor nga Stacioni Policor i Ferizajt kanë njoftuar të pranishmit për të gjitha masat dhe planet operative që ka marrë Policia e Kosovës me qëllim të krijimit të një ambient të sigurt për nxënësit. Gjithashtu ata kanë kërkuar nga të gjithë drejtorët që të kujdesen që në shkolla të respektohen masat e Qeversisë dhe IKSHP-së dhe të udhëzohen nxënësit në rëndësinë e zbatimit të këtyre masave në mbrojtje të infektimit nga cirusi Covid-19, si dhe të kenë një bashkëpunim më të madh me policinë.
Udhëheqës të Këshillit të prindërve kanë kërkuar një angazhim dhe bashkëpunim edhe më të madh të tyrë dhe që të sigurohen kushte që nxënësit të mund të vazhdojnë mësimin nëpër shkolla.