Pas komenteve publike të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha i cili Doku Fest-in e cilëson si ”Doku Drogë” dhe Doku Prostitucion”, ka reaguar Policia e Kosovës.
Sipas policisë gjatë kohës sa ka zgjatur festivali i filmit dokumentar “DokuFest”, qetësia publike ka qenë në nivel të kënaqshëm.
“Nga data 05 deri me 13 gusht 2016, në Prizren është mbajtur festivali tashmë tradicional i filmit dokumentar ‘Doku Fest’. Gjatë kësaj periudhe kohore edhe përkundër pjesëmarrjes rekorde të shtëpive filmike nga 57 shtete, shfaqjes së rreth 238 filmave si dhe pjesëmarrjes së rregullt të rreth 15000-25.000 mysafirëve, mes të cilëve edhe ambasadorë, është arritur që rendi dhe qetësia publike të jetë e kënaqshme dhe të mbahet nën kontroll”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Policia thotë se e gjithë kjo është arritur falë përkushtimit dhe angazhimit maksimal të të gjitha njësiteve relevante policore që ofruan siguri për qytetarët dhe pjesëmarrësit në festival.
“Kjo dëshmohet nga përgëzimet publike që i kemi marrë nga ambasadorët, pjesëmarrësit nga shtetet tjera dhe organizatorit të ‘DOKU-FEST’ ku mes tjerash ceket se sa i përket sigurisë ky ka qenë festival shembull për vendet tjera. Nga organizatori i ‘DOKU-FEST’ kemi marrë mirënjohje të veçantë për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe sigurinë e ofruar deri në përfundimin e festivalit”, thotë tutje PK.
Ndërsa, sipas të dhënave të marra nga DHTN në Prizren, për posedim të paautorizuar, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike gjatë DokuFest-it, janë iniciuar 19 raste dhe janë ndaluar me urdhër të prokurorit 5 persona, kurse 14 të dyshuar ndiqen sipas procedurës së rregullt, transmeton KP.
“Duhet cekur se bëhet fjalë për persona të njohur që më parë për policinë. Të gjitha rastet e raportuara nuk ia zbehin imazhin dhe vlerën e festivalit dhe konsiderohen raste të izoluara që nuk paraqesin rrezikim të sigurisë individuale ose të përgjithshme për pjesëmarrësit”, përfundon policia.