Japonia nuk arriti të kualifikohej në çerekfinale të Kupës së Botës, duke u mposhtur 3:2 nga Belgjika pas një ndeshje që do të kujtohet gjatë për emocionet që dhuroi.
Pas humbjes, derisa gjithandej po diskutohej fitorja e Belgjikës, tifozët e Japonisë arritën ta rikthejnë tek vetja vëmendjen, duke i pastruar sërish mbeturinat e tyre në stadiumin Rostov.
Ky akt, nuk ishte risi për japonezët, që vëmendjen kishin marrë edhe në botërorin e Brazilit në vitin 2014.
Por, kësaj radhe “qershia mbi tortë” erdhi nga stafi teknik dhe lojtarët e Japonisë.
Edhe pse jemi mësuar që skuadrat humbëse të çrregullojnë tërësisht zhveshtoret, ajo e Japonisë bëri të kundërtën, duke treguar nivel të lartë kulturor të sjelljes.
Ata lanë anash humbjen dhe pastruan zhveshtoren, për të lënë në fund edhe një letër në të cilën shkruhej “faleminderit” në gjuhën ruse.
Reagimi i tifozëve e po ashtu edhe i lojtarëve të Japonisë, ka ngjallur shumë reagime për arsyen e të bërit të këtij akti.
Përgjigja është e thjeshtë dhe qëndron në edukimin e tyre, shkollimin dhe kulturën.
Në Japoni është shumë normale që studentët të pastrojnë shkollën e tyre. Që në ditën e parë të shkollës, ata janë të obliguar t’i pastrojnë dritaret, dyert e dyshemenë e shkollës.
Mësuesit i ndajnë në mënyrë të barabartë detyrat dhe motoja e tyre është: “Nëse përdorni një hapësirë, është detyrë dhe përgjegjësi e juaja që ta mbani të pastër”.
Kjo praktikë vjen nga mësimi budist që shpjegon rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe trupit./Lajmi.net/