19,04,2024

Kultura e Ferizajt në Zyren e Kryetarit!

Must Read

Kultura e Ferizajt në Zyren e Kryetarit!

Kisha pritur nga ora shtatë e gjysmë deri në ora njëmbëdhjetë që të vinte Kryetari Muharrem Sfarqa në komunë. Ishte ftohtë i thatë, por nuk binte as shi, as dëborë, as diell (çudi që s`binte rrufeja). Isha e lodhur, mërzitur dhe tejet dëshpruar. Nuk i di as sot e kësaj dite arsyet pse s`isha mirë. Ndoshta që kisha sapo kisha marrur vizen dhe s`kisha para për biletë udhëtimi, nga ana tjetër ndjeja dhembje për njerzit e mi se ku po i lija, nga tjetra anë më dhimbsej së tepërmi kultura jonë. Ah, kultura jonë për shumë gjëra më dhimbset…

Kisha pritur me shumë durim para kabinetit të kryetarit, kisha të ftohtë dhe trupi më dridhej (sepse vetëm korridoreve të komunës nuk kishte ngrohje), dhe më e keqja nga të gjitha ishte se aty kisha parë e dëgjuar shumëçka nga njerzit hallegjinjë. Gjendja e tyre e keqe ekonomike e skandaloze më kishte tmerruar, sa kjo u vërehej edhe në fytyrat e tyre, të skuqura, mplakura dhe tek zeri tyre i mekur. Flet një grua trupgjatë dhe e thatë në fytyrë: tregon se kishte ardhur te kryetari për t`i kërkuar ndihmë, ndonjë vend pune, sa për ta mbajtur gjallë shpirtin me bukë. Kah flet, qan dhe tregon se burrin e ka invalid lufte dhe ka dy fëmijë të vegjël, gjersa ankohet  për pensionin e vogël të vjehrrës së saj, që nuk i del as për gjysmën e barnave. Anash meje i kam dy vajza të reja në moshë, gati – gati fëmijë (sa habitem, mendoj me vete, dhe dikur i pyes, se çfarë halli kanë?)

Fillon njëra më tregon: Jemi jetime, babai ynë është vra në luftë, ai ka qenë ushtar i UCK-së, dhe kemi ardhur me e kërkue banesën tonë, që na ka marr një pareli i Ferizajt.

Si? – pyes unë.

Po, kemi fitu të drejtën me e marr një banesë si familje e dëshmorit të UCK-së dhe një njeri na ka marrë. Tani kemi ardh me folë me kryetarin dhe me i tregu se ne s`kemi mundësi me qëndru dimrit në shtëpinë tonë në fshat, pasiqë s`kemi dru dhe shpia jonë është e vjetër, veç sa s`është rrëzu. Tmerrohem, sa u ngrita nga vendi e bëj disa lëvizje të pakuptueshme dhe sa s`më vjen të qaj.

Të gjithë prisnim që kryetari të vinte në punë (Kryetari ende s`kishte ardhur në komunë, sipas fjalëve të zëdhëndësit të tijë B. D, ai ishte në terren dhe sigurisht po ndihmonte ndonjë nevojtar).

Dikur si vonë, kryetari e la terrenin dhe u ngjit shkallëve të komunës. Të gjithëve ju kishte skaduar durimi, vetëm mua jo. Unë isha e vetmja që po e prisja, habitem edhe sot, se si aq shumë kisha duruar. Sa këmbëngulëse që jam!

Oh më në fund, – ju shpreha atij. Ai nuk ishte vetëm, ishte vet i treti (I treti në Bronz)!

Më drejtohet: Qëndresa, problem juaj është zgjidhur. Nuk e di nëse e ke kuptuar.

Unë i them: Në fakt për këtë kam ardhur, ngaqë Drejtori i Kulturës Enver Haliti, para tre ditësh më mori në telefon dhe më tha se: kërkesa juaj është refuzuar. Këto fjalë këmbyem në korridor, sepse atij ju desh të hynte në zyrë, bashkë me ato të dy që erdhi, duke më thënë që ta pres sapo ta mbaronte me ta. Me të dalë ata, hyra unë. U ulem në sallën ku mbaheshin mbledhjet e komunës, pastaj kryetari ndërroj mendje e më ftoi në zyren e tij, teksa porositi dy kafe. Meqë e takoja për here të parë si kryetar, në këto zyra, fola unë:

Urime për postin e Kryetarllëkut!

Ai më falenderoi me “modesti”, duke shtuar kurreshtjen e tij se si më dukej mua puna e deritashme. Unë me sinqeritetin e një 23 vjeçare ju ktheva:

Nuk e di se si më duket pasiqë s`ka shumë kohë që jeni në pushtet, por në komunë ka shumë punonjës të paaftë. Ai qeshi duke u justifikuar se: Në demokraci paknaqësitë janë diçka krejt normale ( e kishte fjalën për paknaqësinë time). Pastaj u hodhem në temë, te kërkesa ime, ja spjegova me detaje, poashtu dhe përgjigjen e drejtorit të “kulturës” Enver Haliti.

Kryetari vazhdoji të justifikohej për varfërinë, pamundësinë, borxhet e mëdha, që sipas tij i trashëgonte nga ishkryetari Agim Aliu, dhe qeverisja tij e mëparshme. Ishkryetari për opinionin tim, së paku, e ka dasht dhe e ka ndihmu kulturën. A thua kultura ta ketë fut komunën në borxhe kaq të thella?

Në mbyllje të bisedës, kryetari më premtoi se, qoftë edhe duke hyrë borxhë, do ta plotësonte kërkesën time, por, ama, më vonë kuptova se unë duhet të hyja në borxh, dhe jo komuna!

Në të dal drejtori i “kulturës” Enver Haliti hyn në zyrë me turr, pa i ra aspak derës, si të ishte duke hapur derën e zyrës së vet. Unë me veten time mendova: çfarë kofidencash!

Ai më lëshohet menjëherë me fjalët:

Si ke fytyrë me ardhë këtu. Ti je e pafytyrë. Marre duhet me të ardhë. Pse e ke shkru atë shkrim e na ke marr fytyrën komunës (bëhet fjalë për shkrimin “Nuk po më përkrahni, por shkrimet s`mund të m`i ndalni “ që unë e kisha shkruar kur kisha kuptuar refuzimin e kërkesës nga Enveri, pasi që Kryetari fillimisht e kishe përkrahur. Unë i thashë se këtë gjë di me bë. E pyes se përse të ka shqetësuar aq shumë shkrimi im, kur aty nuk kam përmend asnjë emër? Ai vazhdon të më shan, fyen, shpif kundër meje, në sy të kryetarit Sfarqa. Pastaj si me të qeshur ja kthej: “Miza nën kësulë”

Ndërkohë ai s`po ndalet. Ngrihet në këmbë, skuqet, bërtet, shan: Ti je e pamoralshme. Ti je e pandershme. Ti je e pacipë. Ti për me ardhë këtu i ke shfrytëzu krejt kanalet (këtu e ka fjalën për afrimin tim si shkrimtare e re). Sipas tij unë isha shitur tek të gjithë, pa çka se asnjë nga blersit e mi s`kishte as emër, as vend, as datë.

Pra, drejtori i “kulturës” së Ferizajt, Enver Haliti, me një fjalor të pasur me fyerje e shpifje, sa ende çuditem si nuk më goditi fizikisht. Në jetën time kurrë nuk e kisha imagjinuar një drejtor të tillë, drejtor kulture, të dhunshëm dhe banal, aq më tepër me një femër, me një femër të re. Ajo çka ende më çudit është se si Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, në zyren e vet, punën e vet, nuk guxoi të ndërhynte, të ndalonte, të fliste, a të lëvizte së paku një vetull!

Dola prej zyres. Nëpër korridoret e komunës u përplasa me vështrime kurioze të hallegjinjëve tjerë, të cilët, me gjasë ishin kthyer sapo kishin dëgjuar se kishte ardhur kryetari në zyrë. Me siguri i kishin dëgjuar ULURIMAT e drejtorit të “kulturës” në zyren e kryetarit, në prezencën e kryetarit! Në fund të fundit, edhe sikur në rrugë dikush të sillej ashtu me një femër, kryetari duhej të ndërhyente, e jo më në zyren e tij.

Ndihesha e tradhtuar si kurrë më parë në jetën time. Bash prej kryetarit. Bash në zyren e kryetarit. Tashmë kisha harruar hallin se për çfarë kisha shkuar në atë zyrë, hallin që kisha pritur kryetarin pothuajse pesë orë te komuna. Si mund të besoja unë që kryetari mund ta zgjidhte problemin tim, teksa nuk ja mbajti me ia thënë të paktën një fjalë të vetme Enverit, i cili tashmë ishte një kërcënues, poshtërues, dhunues, dhe shpifës e banal!

Sa naïve paskam qenë!

Sa të drejtë kisha pasur kur i thash kryetarit se në komunë ka shumë njerëz të paaftë, sa të drejtë kishte pasur shkrimi im, për të cilin sa s`më vranë. Shkrimi për të cilin desh më vranë para syve të kryatarit, brenda zyrës së kryetarit, mu në zemër të Qytetit tim.

Me të dalë jashtë komunës( faleminderit Zotit që kisha dalë gjallë), mora shoqen time të ngushtë në telefon (emrin e saj nuk po e tregoj për arsye sigurie, ia kam frikë Enverit se, mundet me ia nxij jetën edhe asaj). Asaj i thashë: Hajde shpejtë. Në Qytet jam. Unë jam shkatërru ma, nuk u përmbajta dhe fillova të qaj. Pata pas besu që pas mbarimit te  luftës, unë s`kisha me qa më…

Fytyra e tij, fytyra e Enverit më përzihet me fytyrat e vrasësve, si atëherë në luftë!

Erdhi shoqja. Sapo u bëm bashkë u nisem për të ngre një padi. Rrugës ja tregova gjithë ngjarjen. Edhe ajo qau me mua. Të gjithë na pane duke qa. Unë s`mund ta ndaloja më veten. Takuam një advokat, ishte goxha i vjetër në moshë (emrin e të cilit nuk po e tregoj, për arsye sigurie), të cilit ia spjegova me detaje të gjithë rastin. I gjithë rasti edhe atij nuk i besohej (sikur shoqes sime), dhe vet advokati thoshte me vete: se kjo është skandal, skandal, skandal!

Kaq terrorizuese dhe të tmerrshme ishin edhe fjalët e sygjerimet e advokatit që mi tha:

-Ti mundesh me e ngrit një padi kundër një pushtetari dhe një njeriu në post, por, lënda deri në procesim mund të zgjasë shumë, ka raste deri në dhjetë vjet. Radha e padive në Kosovë është infinit e gjatë. Tjetër, mos harro se ai është i veshur me pushtet e forcë dhe se kjo padi mundet të të shkatërroj edhe më shumë.  Kij parasyshë se, pushtetari i jep 1.000 euro (që ti nuk i ke) dhe gjithë padia jote shkon në plehra, gjersa hakmarrkja e Enveri bëhet më banale dhe edhe më e tmerrshme, sa, mundet me të kushtu edhe jetën.

Në këtë rast, në këtë vend, me këta pushtetarë, më e mira që mund të bësh është ta shpëtosh jetën tënde, duke heshtur, si kryetari. Përderisa kryetari i komunës së Ferizajt, njeriu ma me autoritet në Ferizaj, e pati frikë drejtorin e “kulturës” së Ferizajt, Enver Halitin, të sugjeroj si advokat, të bësh edhe ti ashtu. Pra, të heshtësh!

Unë fillova të bërtas: Deri kur të heshtim më?

Heshtin viktimat! Heshtin ekzekutorët! Heshtin advokatët! Shiten gjykatësit!

Kush ka për të fol? Kur kemi për të fol?

                                        *                   *                  *

Unë hyra borxh, jo komuna! E bleva biletën e avionit dhe erdha në takimin “Ditët e Letërsisë Shqipe 2014” në Michigan. Kam tash dy muaj që jetoj në Amerikë. Kam kaluar mijëra kilometra larg komunës, larg zyrës së frikshme të kryetarit Sfarqa, larg zërit të tmerrshëm të Enverit… por, asnjëherë, s`munda ta harroj fytyrën e tij, lëndimin që ai më shkaktoi, poshtrimin që e ndjeva. Aq sa, më zë frika të jetoj në të njejtin Qytet me Enver Halitin. Ku ta dish se ç`është në gjendje të më bëj ai mua, me gjithë atë heshtjen mbrojtëse të kryetarit Sfarqa që ai e ka!!!!

Këtu në Amerikë pata rastin të njoftohem me poeten e madhe shqiptare Elinda Marku, të cilës i kam folur shumë për Ferizajn, Luftën dhe Librat. Sigurisht që edhe për Enver Halitin i tregova, pa marr parasyshë që karakteri i Elindës është shpërthyes. Dhe në fakt, ajo shpërtheu vërtetë, ndoshta për ta vërtetuar atë çka i kisha thënë unë për Enverin, ngaqë ajo nuk mund ta besonte se një drejtor “kulture” mund të shprehej ashtu, ndaj një qytetareje, aq më tepër një vajze te re me shumë ëndërra, dhe të afirmuar siç edhe kishte thënë vet Enveri atë ditë në zyrën e kryetarit. Aq më tepër Elinda kurrsesi nuk mund të besonte se edhe kryetari Sfarqa kishte heshtur para një skandali të tillë. Ajo e gjeti emrin e Enverit  ne faceebok dhe i shkruajti. Nuk do të kishte e as nuk ka njeri të shkruante se çfarë fjalë i tha Enveri asaj si përgjigje. Elinda ende e ruan përgjigjen e tij!

Elinda poashtu e gjeti edhe facebokun e kryetarit Sfarqa, të cilit i shkruajti më shumë se pesë herë. Kryetari e vërtetoi heshtjen edhe me Elindën, sikurse bëri me mua! Ende nuk i është përgjigjur as asaj.

Heshtja vazhdon…

Qëndresë Halili

12.30.2014  (04:04 AM)

Michigan, Amerikë!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img