Ai shtoi se “nuk mund të kthehen shqiptarët në provokues konfliktesh apo luftërash të reja në Ballkan!”
“Vendosja apo projektimi i kufijve nga lart dhe në mënyrë provokative ka çuar gjithmonë në luftë. Në mënyrë më lakonike, pyetjes se cili është qëndrimi im në lidhje me tezën e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, i përgjigjem me vargun e një poeti të famshëm kosovar; “Kosova është gjaku im që nuk falet”.
Dhe kufijtë e Kosovës në gjithë hapësirën e saj janë kufij të vulosur, të formësuar me sakrificat shembullore të luftës së shqiptarëve për trojet e tyre. Por janë dhe kufij të një lufte shekullore që kanë bërë shqiptarët e Kosovës për të mbijetuar dhe për të jetuar të lirë në trojet e tyre aty ku ata, kanë derdhur gjak, ku kanë folur gjuhën e tyre dhe ku është ngritur gjithmonë flamuri kombëtar shqiptar. Prandaj askush nuk mund t’i tjetërsojë, t’i ndryshojë, apo t’i trafikojë kufijtë e Kosovës dhe lirinë e Kosovës!”, vijoi Luan Rama.
Çështja e kufijve të Kosovës është çështje ndërkombëtare dhe gjeopolitike, theksoi ai.