Miqtë e Ferizajt janë promotorët dhe kontributdhënësit e drejtpërdrejt në përmirësimin e raporteve të Komunës sonë me qytetet tjera jashtë kufijve tanë territorial. E tillë ishte edhe pritja që i rezervoi sot i pari i Ferizajt, Agim Aliu, humanistit italian dhe Qytetarit të Nderit të Ferizajt, Don Sandro Shaboleta.
Në këtë takim të përzemërt, miqësor ku të pranishëm përpos të parit të Ferizajt, Agim Aliu ishin edhe Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu u bisedua mbi raportet e punës dhe bashkëpunimit mes palëve, sidomos në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, me theks të veçantë mbështetjen e të rinjve ferizajas, studentë në universitete prestigjioze italiane që është investimi kryesor në përgatitjen profesionale të kuadrove për tregun lokal të punës.
Ndonëse në moshë të shtyrë, humanisti italian, Don Sandro Shaboleta tha se sa herë viziton Ferizajn kthehet në Itali me më shumë shëndet, energji dhe vullnet, ngaqë ky vend e inspiron, inkurajon që të shtyjë përpara projekte të ndryshme të dobishme për Ferizajn dhe qytetarët e tij. Ai gjithashtu përgëzoi të parin e Ferizajt, Agim Aliu për politikat e shumta të ndërmarra në të gjitha sektorët komunal, veçanërisht në arsim dhe shëndetësi, duke i garantuar mbështetjen e kurdohershme në aplikimin e përbashkët të tyre.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu falënderoi mikun e ferizajasve, humanistin e dalluar italian, Don Sandro Shaboleta për gjithë kontributin që ka dhënë ndër vite dhe po jep edhe tani për qytetarët e veçanërisht të rinjtë ferizajas, duke e siguruar se Ferizaj i ka siguruar një vend të posaçëm në listën e miqve të saj. Madje, ai i konfirmoi se edhe tani është i gatshëm që të investoj energji në projekte të reja dobiprurëse për qytetarët e Ferizajt.