Sot është Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Për këtë ditë të shënuar në kalendarin e datave të rëndësishme shëndetësore, pati pjesëmarrje edhe nga pushteti lokal. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorë të drejtorive komunale, vizituan Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Ferizaj, për të dhuruar gjak në kuadër të aksionit që po zhvillohet në të gjitha qendrat e Kosovës.
Ky gjest njerëzor është një tipar që gjithsecili prej nesh duhet ta inkurajoj. Sasia e grumbulluar sot e gjakut do të shërbej që të shpëtohet jeta e qytetarëve në nevojë, në çastet më kritike të jetës së tyre. Me këtë motiv bashkë me dhjetëra qytetarë dhuruan gjak edhe drejtuesit e pushtetit lokal.
I pari i qytetit, Agim Aliu uroi që sa më pak qytetarë të gjenden në nevojë për t’u shërbyer me sasi gjaku, porse njëkohësisht ftoi qytetarët shëndet mirë që sadopak të ndihmojnë këtë aksion, tepër fisnik e njerëzor dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm në fazat më kritike të jetës së qytetarëve tanë.