Këtë të enjte është mbajt takimi i Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu me qytetarë për të diskutuar të arriturat, sfidat, projektet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti si dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2022-2024.
Dhjetëra qytetarë, kryetarët e përfaqësuesit e fshatrave e zonave urbane, mediave e shoqërisë civile për mbi dy orë diskutuan, parashtruan pyetje e ngritën çështje me rëndësi nga komuniteti ku jetojnë. Përgjithësisht u vunë në pah investimet që ka bërë Komuna e Ferizajt në të gjitha fshatrat e zonat urbane, për të cilën kryetarët e përfaqësuesit e fshatrave e zonave urbane falënderuan qeverisjen lokale.
Në hapje të diskutimit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi mbi punët, projektet e zhvilluara si dhe aktivitetet tjera që shënuan 6 mujorin e parë të këtij viti. Kryetari Aliu, fillimisht ka thënë se për fatin e keq në gjysma e parë e vitit 2021, ka filluar me tragjedinë e shpërthimit të bombolës së gazit në njërin nga restaurantet e Ferizajt ku mbeten të vdekur 2 persona gjersa dhjetëra të tjerë u lënduan.
“Në këtë kuptim, bëmë mobilizim të jashtëzakonshëm institucional në nivel lokal dhe qendror për kurimin e të lënduarve dhe dërgimin jashtë shtetit për shërim të të lënduarve në gjendje më të rëndë. Me këtë rast, për herë të parë, caktova inspektorin e mbikëqyrjes së enëve nën presion-gazit që me punën e tij inspektuese të parandaloj më të keqën nga shpërthimet eventuale të enëve përkatëse”, ka thënë Kryetari Aliu.
“Nisi projekti madhor i ndërtimit të vijës rrugore 5.6 kilometërshe, me 4 korsi nga Fshati i Vjetër deri në Prelez të Jerlive si dhe rikonstruktimin e urës në Bibaj, me kosto prej 13.4 milion euro. Poashtu ka filluam punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri, në shtegun e ngushtë mes Gjimnazit “Kuvendi i Arberit”, Shkollës së Agrobiznesit dhe Palestrës së Sporteve “Bill Klinton”. Kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit dhe Financimit për asfaltimin e rrugës Talinovc i Muhaxherëve-Rahovicë, shteg rrugore ky me gjatësi 6 kilometër, me shteg për çiklistet e trotuaret që kap vlerën buxhetore të 3.5 milionë eurove. Kemi avnacuar punimet në ndërtimin e Stacionit të Ri të Autobusëve si dhe kemi bërë edhe asfaltimin e rrugëve “Cen Dugolli”, “Sharrit”, “Mulla Idriz Gjilani”, “Lybeteni” dhe “Idriz Seferi” në zonën urbane”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se është bërë edhe riparimi i tërësishëm i infrastrukturës në rrugën ndër kryesore të qytetit atë të “12 Qershori”, por edhe rrugëve të tjera të cilat janë bërë me trotuare në fshatrat, por edhe asfaltime të tjera.
“Asfaltuam edhe 4 kilometër rrugë në Gaçkë dhe mbi 4 kilometër rrugë në dardani, ndërkaq tashmë pritjes së gjatë të banorëve të fshatrave Bablak, Babush për infrastrukturën rrugore, po vjen fundi me asfaltimin e këtij segmenti rrugore. Rreth 700,000 euro buxhet po investojmë në ndërtimin e mbi 50 kilometrave rrjet të ujësjellësit për fshatrat Sojevë, Dardani, Zllatar, projekt ky që i jep zgjidhje pas sa vitesh mungesë, nevojës bazë të qytetarëve, nevojës për ujë”, ka potencuar kryetari Aliu, sa i përket projekteve infrastrukturore.
Projektet që shënuan gjashtëmujorin e parë të 2021 ku vuri theksin i pari i Ferizajt, Agim Aliu është përfundimi i nënkalimit modern për vetura dhe këmbësorë te Plus Marketi, avancimi i punimeve në prag të përfundimit në projektin transformues “Bashkimi i Qytetit”, fillimi i punimeve për vazhdimin e nënkalimit për këmbësore në rrugën “Emin Duraku” si dhe përfundimi i i punimeve për Fabrikën e Ujit në Talinovc të Muhaxherëve.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, tutje është ndaluar edhe tek investimet në arsim, në fushën e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik dhe turizmit, në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në fushën e bujqësisë, por edhe në fushën e kulturës.
Në këtë diskutim publik mbi të arriturat, sukseset, sfidat dhe të arriturat të tjera të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, është diskutuar edhe Korniza Afatmesme Buxhetore 2022-2024. Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, tha se buxheti komunal është 34 milion euro, që është një ngritje në krahasim me vitin e kaluar, ku 10 milion euro janë paraparë për investimet kapitale, 5 milion për mallra dhe shërbime dhe 1 milion për subvencione.
Ndërkaq qytetarët e pranishëm në këtë diskutim, kanë lavdëruar punën e Kryetarit Aliu. Ata janë shprehur tejet mirënjohës për shumë projekte të cilat janë realizuar në të mirën e përgjithshme.
Qytetaret kanë parashtruar edhe një varg kërkesash të cilat kishin të bënin kryesisht me infrastrukturë rrugore. Pyetjeve të qytetarëve ju përgjigjën drejtorët e drejtorive komunale, por edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.