26,12,2024

Krasniqit nuk ia ha mendja se Mustafa e Thaçi po e mbrojnë Kosovën

Must Read
Jakup Krasniqi

Krasniqi i ka quajtur përfaqësues të padenjë në bisedimet me Serbinë, madje shumë të paaftë për të biseduar me palën serbe.

Ai ka kërkuar që të ndalen bisedimet.

Shkrimi i plotë:

PAAFTËSIA E QEVERITARËVE PËR TË BËRË POLITIKË KOMBËTARE

Nga Jakup Krasniqi

Çka na kanë treguar bisedimet dypalëshe në mes të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, natyrisht me ndërmjetësimin e të fundit? Që në fillim duhet thënë se kanë treguar dhe dëshmuar hapur që përfaqësuesit tani ishin më shumë se të papërgatitur për të zhvilluar bisedime. A thua, çka i bëri këta njerëz, eksponentë të politikës sonë, kaq të paaftë për të biseduar me palën serbe, kur të njëjtit në Kosovë janë aq shumë të zhdërvjelltë, derisa të gjitha mossukseset t’ua hedhin oponentëve politikë dhe shumicës së qytetarëve te Kosovës? Për mua mbetet një enigmë vërtetë e madhe! Përse e ngarkuara për bisedime, e sidomos kryeministrat (Thaçi-Mustafa), edhe përkundër lëshimeve të mëdha që ua bënë Serbisë në Bruksel (lëshime këto që vetëm ata mund t’ua dinë arsyen), nuk e arritën liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës? Dhe jo vetëm kaq, por Brukseli, si kusht për liberalizimin e vizave, e futen edhe demarkacionin! Këto çështje hapin shumë pyetje. A thua, përse, si ndodhi dhe përse po ndodhin këto gjëra tepër të dëmshme për Kosovën?

Dhe pyetjet zinxhirore, nuk kanë të ndalur, po më kryesorja do të qe: këta njerëz të veshur me pushtet e “përgjegjësi”, a thua, çfarë mbrojtën atje? Në Bruksel, pra! Kosovën? Nuk ma ha mendja! Veten e tyre? Kjo, mbase, po! Sepse, me kushtetutë e ligjet në fuqi, ata ishin e janë të obliguar që t’i mbrojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit për çka e kanë mandatin nga qytetarët e Kosovës. Pra, gjatë gjithë këtyre viteve në Bruksel ata nuk i mbrojtën asnjë nga këto kolona e postulate të panëpërkëmbshme! Atëherë, le ta përsërisim pandalshëm: kë mbrojtën këta njerëz në Bruksel? Përgjigjja më e shkurtër do të ishte: Mbrojtën veten e tyre dhe pozitat e marra me makinacione nga më të ndryshmet!

Fundja, nuk jam kundër që të tillët të mbrojnë veten e tyre, se mbrojtja është e drejtë e gjithsecilit, por jo që mbrojtja e tyre të jetë në dëm të interesave të kombit e të shtetit. Prandaj ata duhet t’i dorëzojnë te bashkëpartiakët e tyre pozitat shtetërore që mbajnë, pasi ata janë të shantazhuar nga drejtësia vendore e ndërkombëtare! Druaj se mbase janë të shantazhuar edhe nga Beogradi! Ndryshe s’kanë si arsyetohen të gjitha këto lëshime të njëpasnjëshme, evidentimi i të cilave nuk është objekt i këtij shkrimi, por dukuria, fenomeni, papërgjegjësia! Gjithsesi, kjo zbulon jo pak “faje” të bëra në dëm të qytetarëve të Kosovës në periudha të ndryshme kohore! Këta “përfaqësues” të padenjë duhet ta dinë, ta kuptojnë dhe të reflektojnë esëll se dorëheqja e tyre është shpëtimi i Republikës nga degradimet e mëtejme të politikës sonë në raport me BE-në, veçanërisht por edhe me Perëndimin përgjithësisht. Sepse, mbi të gjitha, do të shpëtojë shteti ynë dhe proceset politike që po zhvillohen në Kosovë dhe për Kosovën. Barrikadimi i tyre në krye të institucioneve më të larta të shtetit, për interesa krejt personale dhe assesi për interesat të vendit, pa dyshim që do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën. Kjo gjendje, me pasojat e deritashme dhe ato që pritet të ndodhin si rrjedhojë, nuk i duhen askujt në Republikën e Kosovës! Ne nuk mund të paragjykojmë nëse kanë apo nuk kanë të drejtë, por me akuzat që janë ngritur ndaj tyre dhe kushdo që të ishte në vendin e tyre, do të duhej që t’ia lëshonin frymën zhvillimeve pozitive në Kosovë. Largimi i tyre domosdoshmërisht duhet të ndodhë ose me dorëheqje ose me zgjedhje të jashtëzakonshme. Këta njerëz duhet ta dinë se, kushdo i huaj, që i mbron ata edhe duke bërë me gisht nga opozita “jodemokratike”, po i mbron që sa më parë të përfundojnë disa procese të dëmshme, që janë zhvilluar e pritet të zhvillohen për dhe rreth Kosovës.

Si përfundim do thosha se gjithë procesi i bisedimeve të Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, rezulton i papërgatitur, jotransparent, i korruptuar, i komprometuar! Si i tillë, s’ka sesi të mos emërtohet me emrin e vërtetë, thënë pa ekuivok se ka rezultuar të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen tonë përgjithësisht. Kulmi i dëmeve që kanë prodhuar këto bisedime janë sot e gjithë ditën: Bashkësia e Komunave serbe (jashtë çdo standardi të BE-së!), marrëveshja për gjyqësorin, “integrimi” i strukturave paralele (rojet e urës), marrëveshja për telefoninë dhe lejimi i murit ndarës (amfiteatrit!)… Këto, së bashku me një mori marrëveshjesh që nuk i cekem, jo vetëm që i bëjnë jofunksionale institucionet e shtetit, por i nënshtrohen diktatit të Beogradit, mbase edhe më shumë se kaq!

Prandaj, ndërprerja e këtyre bisedimeve, kështu siç kanë precipituar, është një hap më se i domosdoshëm.

Kësaj domosdoshmërie duhet t’i ndihmojnë edhe deputetët e partive të koalicionit, nëse vërtet duan që të jenë përfaqësues të denjë të kombit e të atdheut. Sepse, ndryshimi nga rrjedhat negative në rrjedha pozitive varet shumë nga këta te fundit!

Muri ndarës, duhet thënë këtë, është alarmi i fundit, kambanë e fundit se Kosova po shkon drejtë ndarjes!

Të veprojmë tani, se nesër mund të jetë vonë!

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img