23,12,2024

Krasniqi: Të analizohen vërejtjet e ekspertëve në debatin e 3 gushtit

Must Read

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se procedimi i marrëveshjes së demarkacionit për në Kuvend nga ana e Qeverisë, pa i analizuar vërejtjet e ekspertëve pas debatit të 3 gushtit është shqetësuese.

Krasniqi në një shkrim autorial ka thënë se ky veprim nuk krijon hapësirë për debat e marrëveshje as për çështje që kërkojnë konsensus nacional.

Shkrimi i plotë i Krasniqit:

Dëshira dhe vullneti im do të ishte që të shkruaja me nota krejt pozitive, me nota afirmative, por realiteti ynë nuk është i tillë. Kështu që fjala ime do të jetë, kështu si është realiteti ynë, problematik, por jo pa mundësi zgjidhjeje. Pasi problemet nuk zgjidhen duke i mbuluar me mushama që të mos duken, por duke e njohur mirë problemin dhe duke u marr seriozisht me te. Ashtu si asnjë sëmundje nuk mund shërohet duke e fshehur atë.

Se duhet të ketë një debat përmbajtjesor në politikën e shoqërinë tonë, nuk kam dyshuar kurrë, nuk dyshoj as sot, por ky debat, për fat të keq nuk është zhvilluar asnjëherë dhe jo vetëm pas Luftës Çlirimtare, por që nga vitet e ’90 të shekullit të kaluar e krejt deri më sot. Po flas për kohën kur zë fill pluralizmi politik në hapësirën tonë të veprimit. Problemi pse nuk ka pasur dhe nuk ka debat me përmbajtje në shoqërinë tonë, kanë qenë e vazhdojnë të jenë, liderët politik ( të partive të mëdha), të cilët përditë po dëshmohen se janë krejt autokratë ose thënë më butë, nuk kanë kulturë e edukatë për të dëgjuar mendimin e kundërt. Rezultat i kësaj “kulture” është realiteti i sotshëm, madje jo vetëm në politikë.

Të flasim për temat kryesore që e dominojnë shoqërinë tonë sot, na është bërë domosdoshmëri e ngutshme. Të flasim për Marrëveshjen e Demarkacionit, për çka u bisedua më 3 gusht 2016 në hapësirën e Kuvendit të Kosovës nga ekspertë, qytetarë e deputet ishte e domosdoshme, por a ishte e domosdoshme ngutja e Qeverisë se koalicionit PDK – LDK, të udhëhequr nga zotëri Mustafa, për ta proceduar Marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvend për Ratifikim, pa e formuar një Grup të Punës për t’i analizuar vërejtjet e ekspertëve të pavarur, është më shumë se shqetësuese. Kjo logjikë e veprimit, nuk krijon hapësirë për debat e marrëveshje as për çështje që kërkojnë konsensus nacional.

Kushdo që e ka përcjell debatin e djeshëm dhe e ka lexuar materialin e ofruar nga ekspertët e pavarur, besoj që janë bindur, se janë arsyetuar veprimet, në dukje jo demokratike të partive opozitare, më të cilat veprime opozita e ka kundërshtuar ketë formë të demarkacionit, por jo nevojën e domosdoshme për të përfunduar demarkacionin më Malin e Zi.

Por, njëkohësisht ata e kanë konfirmuar edhe pa përgjegjësinë e dy Kryeministrave, Thaçit që e ka filluar e Mustafës që po e përfundon ketë marrëveshje dhe Presidentit që është bërë gardian i kësaj marrëveshje të keqe, e cila po të mos ishte e tillë, nuk do të derivonte gjithë këto reagime e konfuzione. Prandaj kësaj gjendje askush nuk i kanë kontribuar më shumë së Presidenti dhe Kryeministri.

Natyrisht, unë nuk jam krenar as që me vije mirë, pse zyrtarët më të lartë të shtetit, janë vënë këmbë e krye në mbrojtje të një pune që nuk mund të mbrohet në asnjë mënyrë. Mënyra sesi është proceduar dje marrëveshja në Kuvend, përfshirë edhe fjalët e tyre në fillim të Konferencës se tre gushtit 2016, Presidentin dhe Kryeministrin i bënë përgjegjësit kryesor të kësaj marrëveshje të keqe.

Se a duan dhe sa do ta pranojnë përgjegjësinë, kjo mbetet çështje e kulturës dhe e edukatës së tyre politike, intelektuale e kombëtare.

Nisur nga kjo që u tha, sidomos për ekspertët e pavarur, duhet të nënvizojmë se: institucionet e shtetit, partitë e organizuara politike dhe qytetarët tanë kudo ku jetojnë, brenda e jashtë Kosovës, duhet tu jenë mirënjohës e falënderues të gjithë ekspertëve të pavarur, të cilët me idealizëm profesional e intelektual i ndihmuan politikës e mbi të gjitha shtetit e kombit sesi duhet punuar për komb e atdhe edhe pa u paguar.

Në ketë rast do ta veçoja punën e këtyre ekspertëve, të cilët për mua treguan profesionalizëm të lartë. Këta janë:

➢ Gjeologët: Prof. Asoc. Dr. Perparim Ahmeti dhe Prof. Asoc. Dr. Bashkim Idrizi.

➢ Profesorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare: Prof. Dr. Enver Hasanin dhe

➢ Gjeografët: Dr. Shpejtim Bulliqi dhe Dr. Florim Jusufi etj.

Çka kanë konstatuar këta:

Kanë konstatuar se Komisioni qeveritar nuk ka qenë konsistent në punën e tij dhe as në nivelin e përgjegjësisë se tyre.
Kanë shfrytëzuar material jo valid dhe të pa verifikuar, siç ishte ai i Banovinës së Zetës.
Hartat e përdorura kadastrale për rastet e tilla nuk ishin as valide e as të mjaftueshme.
Mbulesë të hartave kadastrale për terrenin në fjalë nuk kishte as pala e Malit të Zi.
Madje Komisioni qeveritar edhe ka falsifikuar a modifikuar dokumente të ndryshëm, me çka Komisioni qeveritar ka bërë shkelje të rendë të detyrës.

Ndërsa apostrofimi i dokumenteve nga njerëzit e qeverisë si:

[▪] Deklarata e Pavarësisë,

[▪] Dokumenti i Ahtisarit,

[▪] Kushtetuta,

[▪] Marrëveshja e Kumanovës dhe

[▪] Disa Ligje të miratuara në Kuvend.

Pa dashur ta mohoj vlerën dhe rendësin e këtyre Dokumenteve tejet të rëndësishme për Republikën e Kosovës, nuk kanë qenë dokumente që do ta mbulonin shënjimin e kufirit të delimituar në vitet 1945/46 të pa ndryshuar asnjëherë më vonë, nuk do të duhej të apostrofohen ashtu si u apostrofuan nga të paret e shtetit tonë në fjalët e tyre në Konferencën e 3 gushtit dhe pas saj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img