Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë mbledhjes së sotme ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për 37 Kuvendet Komunale që u mbajtën më 22 tetor
Sipas KQZ-së, në rezultate nuk përfshihen ato nga zgjedhjet për Kuvend Komunal të Vushtrrisë pasi në Gjykatën Supreme nuk ka përfunduar akoma vendosja lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion.
Gjatë kësaj mbledhjeje, u shpallën edhe rezultatet përfundimtare të balotazhit për kryetar në 17 komuna si dhe ato të rivotimit për Kryetar të Parteshit.
Rezultatet Përfundimtare të raundit të dytë u shpallën për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri dhe Malishevë.
Në këto rezultate përfundimtare nuk përfshihen ato të raundit të dytë për Kryetar të Istogut dhe Kllokotit, pasi nuk ka përfunduar vendosja lidhur me çështjen e ankesave.
KQZ shpalli edhe rezultatet e rivotimit për Kryetar të Parteshit, që u mbajt më 19 nëntor.