03,07,2025

Kosova ka buxhet për ushtri moderne

Must Read

Ata thonë se Forca e Sigurisë është duke u përgatitur që të marrë përgjegjësi edhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Kosovës.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova i ka kapacitetet e mjaftueshme për të themeluar ushtrinë sipas standardeve të NATO-s, duke u mbështetur edhe në ndihmën që do të gëzonte nga perëndimi.

“Kemi buxhet në afat 10-vjeçar, që ne gradualisht do ta ndërtojmë një forcë moderne bazuar edhe në standarde të NATO-s. Do të jetë një forcë jo shumë e madhe, profesionale dhe e ndërveprueshme edhe me partnerët tanë”, shpjegon Rama.

Gjenerallejtënant Rama thotë se Kosova, në të ardhmen, do ta ketë ushtrinë e saj me të gjitha kapacitet operacionale.

Do të ketë mjete të blinduara, pajisje taktike ose xhipa taktikë, por edhe armatimin që ne e kemi planifikuar deri në një në kalibër të caktuar. Qëllimi dhe synimi ynë është që planet t’i koordinojmë me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare”, thotë ai.

Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, që nënkupton kalimin nga një forcë e angazhimeve e veprimeve për emergjenca në një forcë me karakter të plotë ushtarak, është paraparë pas një vlerësimi të sektorit të sigurisë në vend dhe rekomandimeve që NATO ka dhënë për përmbushjen e kapaciteteve operacionale.

Zyrtarë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se kjo Forcë, tashmë ka realizuar gjithë programin e saj dhe është e gatshme për transformim të mëtejmë.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka mundësi që ta ketë një ushtri moderne dhe të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.

“Mbi bazën e buxhetit aktual, është paraparë që për çdo vit të ketë një ngritje prej pesë milionë të buxhetit për Forcën e Sigurisë. Kuptohet në Raport me këtë forcë atëherë do të shkojë edhe ngritja e ushtrisë edhe pajisja e saj si me teknikë apo qoftë edhe me armatim në raport me fuqinë financiare”, thekson Shala.

Por, jo të gjithë shprehin mendimin për kapacitetet që FSK-ja mund të ketë për shndërrim në Forcë të Armatosur. Naim Maloku, analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, shprehet skeptik kur bëhet fjalë për një ushtri të fortë dhe të armatosur rëndë. Sipas tij, Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

“Sa i takon ngritjes së një force të armatosur, e cila kishte me qenë ekuivalente në rrezikun që i kanoset Kosovës, pa NATO-n, për ta zëvendësuar KFOR-in, Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm as për 20 vitet e ardhshme për ta ngritur një forcë, që do të siguronte integritetin territorial të Kosovës pa prezencën e KFOR-it në Kosovë”, shprehet Maloku.

Megjithatë, Maloku thotë se integrimi i Kosovës në NATO, nuk kushtëzohet me fuqinë ushtarake të një shteti. Ai konsideron se ka shtete evropiane që nuk janë të fuqishme ushtarakisht dhe janë pjesë e NATO-s.

“Mungesa e një ushtrie të pajisur mirë nuk e pengon Kosovën në proceset e integrimeve euro-atlantike”, vlerëson Maloku.

Megjithëkëtë, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, thonë njohës të rrethanave të sigurisë, mbetet i ndërlidhur me “vendimet politike”.

Qeveria e Kosovës i ka proceduar Kuvendit në vitin 2014 Ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, mirëpo ky ligj, është kthyer prapa pa u shqyrtuar. Një herë tjetër, ai nuk arriti të kalojë në mungesë të votave në Kuvend.

Për shndërrimin e FSK në FAK, nevojiten edhe ndryshimet kushtetuese në lidhje me këtë transformim.

Kuvendit do t’i nevojiten dy të tretat e votave, përfshirë edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave, çka nënkupton arritjen e një konsensusi paraprak politik me subjektet nga radhët e komuniteteve pakicë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master për...

Në këtë vit akademik në nivelin bachelor, do të pranohen 420 studentë të rregullt, prej të cilëve 50 vende...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img