Ferizaj. 25.07.2018. Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami ka zhvilluar një takim me zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Mevludin Krasniqi, me ç’rast është diskutuar për shumë çështje që shqetësojnë bujqit ferizajas, porse në veçanti, kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga të reshurat e kohëve të fundit.
Drejtori Bajrami njoftoi zv.ministrin Krasniqi se komisioni që ka themeluar i pari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka evidentuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga stuhia e shiut dhe breshërit që pati kapluar Ferizajn muaj më parë dhe se këtë raport i ka dorëzuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zyrës së Kryeministrit me qëllim që të ndihmohen bujqit për dëmet e pësuara.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi ka siguruar drejtorin e bujqësisë në Ferizaj, Burim Bajrami se Qeveria e Republikës së Kosovës, me në krye Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e fundit ka autorizuar ministrin e Financave që të përgatis skemën financiare, gjegjësisht fondin për kompensimin e bujqve të dëmtuar nga reshjet.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, në emër edhe të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka falënderuar zv.ministrin Krasniqi dhe gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e deritanishme në projekte të ndryshme, veçanërisht për vëmendjen që po i kushtojnë problemeve në fushën e bujqësisë.