Bashkëpunimi i Komunës së Ferizajt dhe organizatës humanitare “Qatar Charity” do të rezultoj me hapjen e 26 puseve nga kjo organizatë në gjithë territorin e Ferizajt gjatë këtij viti si dhe ndihmën me ushqime për rreth 150 familje me gjendje të rëndë ekonomike në qytetin tonë.
Këtë qëllim pati takimi i sotëm, ku i pari i Ferizajt, Agim Aliu priti drejtuesit e organizatës “Qatar Charity”. Drejtori i saj për Kosovë, Mahmoud Abbas Shaker tha se kjo ndihmë vjen si pasojë e vullnetit të kësaj organizate për të ndihmuar vazhdueshëm kategoritë në nevojë si dhe një raport mirëbesimi që është krijuar me Komunën e Ferizajt, qytetarët e së cilit do të përfitojnë nga kjo ndihmë. Ai shtoi se organizata që drejton, ka vullnetin e gatishmërinë të ndihmoj edhe me projekte të tjera sociale, Komunën e Ferizajt për të cilën u dakordua të intensifikohet bashkëpunimi.
Kryetari Aliu, falënderues për mbështetjen e vazhdueshme nga kjo organizatë, tha se Komuna e Ferizajt ka investuar në krijimin e raporteve bashkëpunuese me partnerë të ndryshëm, rezultatet e së cilës po japin edhe këto fryte. Ai shtoi se ekipet profesionale të fushës sociale do të identifikojnë dhe bashkërendojnë veprimet me këtë organizatë edhe në realizimin e projekteve të tjera në të ardhmen e afërt.