Mbështetja për uniformat e çdo lloj ngjyre e fushe nga autoritetet komunale është tashmë tipar dallues i qeverisjes lokale. Së fundi, janë zjarrfikësit që me përpjekje të jashtëzakonshme, punën e djersën e tyre kanë arritur që të mbajnë larg zjarret nga pronat e qytetarëve e pasurisë publike.
Mirëpo përveç mirënjohjes, Komuna e Ferizajt, kreu i saj, Agim Aliu përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë sot furnizoi Brigadën e Zjarrfikësve me një kontingjent të madh pajisjesh kundër zjarrit si dhe të tjera që do ta lehtësonin punën e zjarrfikësve dhe do ta shkurtonin kohën e shuarjes së zjarreve gjatë intervenimeve.
Për të ndarë këtë kontingjent pajisjesh, doli sot Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili. Ata thanë se kjo mbështetje nuk ka munguar dhe nuk do të mungoj në lehtësimin e procesit të punës së një nga segmenteve të emergjencave, atë të zjarrfikjes.
Falënderues për këtë donacion u shprehën drejtuesit e Brigadës së Zjarrfikësve. Luan Salihu nga ky institucion tha se ky kontingjent do të zgjidh shumë nga vështirësitë që deri më tani, zjarrfikësit kanë pasur në punën e përditshme.
Kontingjenti i sotëm i pajisjeve përbëhet nga kompresorë portativ me ujë dhe ajër për fikjen e zjarreve fushore dhe malore, pompa thithëse për tërheqjen e ujit gjatë vërshimeve (elektrike dhe motorike), kompresorë ajri, ndezës automatik portativ, pajisje tjera personale për përdorim të zjarrfikësve .