Paraditen e sotme, në ambientet e Zyrës së Kryetarit të Komunës, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, drejtoren e QKMF-së, Nadire Imeri, drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm, Jeton Zeqiri, drejtorin e Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës – Rajoni i Ferizajt, Emin Beqiri dhe drejtoren e QRSHP-së, Sevdije Mehmeti, pritën në takim një ekip mjekësh e infermierësh në kuadër të KFOR-it italian.
Temë bosht e diskutimit ishte gjendja e përgjithshme dhe menaxhimi i pandemisë COVID-19 në nivelin lokal. Nikoqiri, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bëri një bilanc të të gjitha veprimeve që ka ndërmarr Shtabi Emergjent, e kryesuar nga vet ai, në përnbushje të masave mbrojtëse kundër virusit COVID-19. Ai shtoi se aktualisht Ferizaj është i qetë, numri i të infektuarve është minimal, e ndërkohë është në rritje të vazhdueshëm, numri i të shëruarve.
Në anën tjetër, nga mysafirët u shpreh vullneti që të ndihmohet komuna jonë, në forma të ndryshme, bazuar edhe në eksperiencat që pati shteti italian, në përballje me pandeminë.
Nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore në nivelin lokal u parashtruan kërkesat dhe eksperienca lidhur me menaxhimin e gjendjes, për të cilën me bashkëpunime të tilla si ky me KFOR-in italian, Komuna e Ferizajt pret ballafaqim më të lehtë të kësaj situate.