07,05,2024

   Kandidati i Ferizajt

Must Read

Shkruan: Albion Sherifi

Zakonshëm, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare apo vendore mobilizohet një grup i gjerë aktivistësh  apo drejtuesish politik për të rritur volumin e artikulimit të tyre politik për qeverisjen lokale dhe improvizimin e punëve të parealizuara gjatë kohës së kaluar të mandatit qeverisës.

Një angazhim i tillë part-time apo periodik bën që të zvetënohet ndjenja e përgjegjësisë para votuesve të tyre. Madje, kjo formë veprimi shpërfaq një element tejet negativ në raportin organe qeverisje lokale dhe qytetar, ku lëndë e kontratës së tyre është vetëm  vazhdimësia e një pushteti qeverisës dhe jo si do të duhej të ishte qëllimi i kontratës për realizimin e zotimeve para qytetarëve. Një kontratë politike dhe fare sociale pa të drejtat dhe detyrimet reciproke është e destinuar të kualifikoj veten si të pavlefshme. Fatkeqësisht deri më tash në masë të madhe është dëshmuar se qëllimi i kontratës së besimit të dhënë qytetar ndaj drejtuesve politike në nivel lokal është vazhdimësia e pushtetit si prioritet i forcës së caktuar politike dhe fare pak realizimi i programit politik përmes së cilës fitohet pushteti politik. Për të dëshmuar sa më sipër, pra vazhdimësinë e synuar nga drejtuesit politik, mund të ndajmë qeverisjen lokale në dy faza: atë të shtrirjes së ndikimit që për të qenë real manifestohet në forma mjaft të turpshme, siç është keqpërdorimi i gjendjes së rënde sociale e ekonomike të qytetarëve dhe nevojës së tyre për punësim, krijim të të ardhurave si dhe favoreve të çastit të cilat krijojnë heshtjen e turpshme para fenomeneve negative si dhe si fazë e dytë është mbingarkesa me operacione nga më të ndryshmet nga ana e pushtetit lokal për të improvizuar punët e lëna në harresë për kohën e mandatit që kaloj. Këto dy faza/cikle me fuqi vepruese mjaft të madhe nga ana e pushtetit lokal shkaktojnë kakofoni në veshin e qytetarëve dhe relativizojnë problemet reale me të cilat përballen ata çdo ditë.

Ferizaj është një vendgrumbullim masiv votash për forcat kryesore politike. Mirëpo në rrafshin lokal, pra të zgjedhjeve vendore, drejtuesit e deritanishëm politik të Ferizajt nuk kanë arritur të zgjojnë zgjedhësin “e fjetur”, duke prodhuar mandate të kontestuara edhe numerikisht. Qytetari i parë i një komune rezulton të zgjidhet me një numër relativisht të vogël votash, pothuajse gjithmonë me bashkimin e votës së partive politike të vogla numerikisht.

Kurse programi përmes së cilës fitohet pushteti politik mbetet një pamundësi realizimi e pashmangshme. Kjo shpeshherë për shkakun se ndërtimi i programeve politike ka më shumë karakter spekulativ, joreal dhe të paligjshëm sesa të realizueshëm në harmoni me ligjet në fuqi, të matshëm dhe të qëndrueshëm. Programi qeverisës përveç dizajnit të bukur teknik, përmban fare pak objektiva të realizueshme. Mashtrimi me premtime të parealizueshme, spektakolare është një fenomen i rëndomtë kudo në politikën vendore dhe kombëtare që qëllim ka vazhdimësinë e komoditetit të pjesëtarëve të një force politike dhe jo realizimin e interesit qytetar.

Disa pyetje që shtrëngojnë të dalin në sipërfaqe janë edhe ato se kur do të mund të shohim një program politik të realizuar në përqindje relativisht të lartë gjatë një mandati qeverisës? A është i mjaftueshëm një mandat qeverisës për të realizuar zotimet e një force politike, apo duhet që propozuesit e saj të kufizohen brenda mundësive reale dhe kohore të realizimit të zotimeve të tilla? Këto programe politike votohen për t’u përmbushur brenda një mandati apo qytetarët votojnë për dy mandate njëkohësisht? Pse duhet që në tryezën e zgjedhjeve lokale të servohen premtime të cilat kanë lindur të vdekura? Madje, pse premtimet e parealizuara në mandatin e parë duhet të trumbetohen si të realizueshme në mandatin e mundshëm të dytë?
A janë  mjaftueshëm të pjekur politikisht zgjedhësit për të legjitimuar mashtrimin e propozuar si interes qytetar?  A janë organet e qeverisjes lokale mekanizma për të shërbyer interesave private të pjesëtarëve të forcave politike? Sa kanë aprovimin qytetar iniciativat e propozuara?

Këto pyetje janë themelore për të sendërtuar një koncept mbi qeverisjen  e shëndoshë lokale që mendoj se duhet t’i ketë parasysh secili nga të kandiduarit e mundshëm. Fundja, kandidaturat duhet të jenë publike, të jepet koha e mjaftueshme për analizë të secilës prej tyre dhe t’i nënshtrohen “kontrollit të fakteve” nga ana e qytetarëve për të shmangur ngutinë dhe presionin e prezantimit të një vizioni për 4 vitet e ardhshme për qytetin në një kohë të limituar brenda pak javësh.

Derisa të ndodh një gjë e tillë, jemi të detyruar të kontribuojmë vetëm si shikues të një shfaqje mistike, monopol të aktorëve të saj e të mbushur plot spekulime brenda teatrit politik (kupto: organet e qeverisjes lokale).

Ra perdja  edhe e një mandati qeverisës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Faton Xhakli zgjedhet selektor i Kombëtarës së Kosovës në Boks

Trajneri i mirënjohur ferizajas Faton Xhakli në mbledhje e fundit të bordit të Federatës së Boksit është zgjedhur selektor...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img