19,11,2024

‘Ka iniciativa, nuk ka vullnet politik’: Stadium i Ferizajt ‘peng’ e politikës, flet drejtori i klubit

Must Read

Çështja e infrastrukturës së stadiumeve në Kosovë është një ndër temat më të prekshme tash e disa vite. Këtë e tregon më së miri fakti që vetëm stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë u licencua për garat europiane këtë sezon. Por, edhe kur merret iniciativa për renovimin e tyre ose ndërtimin, jo rrallë herë del edhe ndonjë problem. Rasti i fundit ka të bëjë me stadiumin e klubit të Ferizajt ‘Ismet Shabani’, ku i kontaktuar nga Gazeta Metro drejtori i skuadrës, Agron Selmani, tregoi të gjitha detajet lidhur me këtë.

Nga ky sezon për herë të parë në arenën ndërkombëtare morën pjesë katër skuadra Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi, kjo ishte historike. Por, historike do të jetë gjithashtu se si këto katër ekipe ndeshjet e tyre i zhvilluan në të njëjtin stadium, ku edhe UEFA u detyrua të ndërrojë orarin e ballafaqimeve.

Megjithatë, ndonjëherë mungon edhe vullneti politik, i cili si në të shumtën e rasteve e thotë fjalën e fundit. Vullneti politik është duke munguar te stadiumi i Ferizajt ku për Gazeta Metro drejtori, Agron Selmani tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka refuzuar lokacionin të cilën i gjithë qyteti është duke e kërkuar për ndërtimin e stadiumit.

”Fillimisht dua të ju informoj se qyteti i Ferizajt me kohë ka ndarë zonën sportive ku parashihet edhe ndërtimi i stadiumit, zyrtarët komunal, Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka ftuar një debat të hapur me temë konkrete për dhe rreth ndërtimit të stadiumit të qytetit, aty ne morëm informacione se nga ministria përkatëse është refuzuar lokacioni i tanishëm dhe se komuna duhet të ofroj dy lokacione tjera.”

”Në të njëjtën kohë komuna nuk ka alternativë tjetër pos asaj që edhe komuniteti sportiv po e kërkon, pra stadium në zonën sportive ku është aktualisht qendra stërvitore, ku ne i zhvillojmë ndeshjet afër palestrës sportive ‘Bill Kllinton’, pra bëhet fjalë për një zonë të ndarë me kohë si zonë sportive e planifikuar me planin zhvillimor dhe atë urbanistik dhe nuk është konteste me ligjin” tha ai.

Selmani më tutje thotë se të gjithë dashamirët e sportit në Ferizaj kishin menduar se punët janë duke shkuar mirë dhe së shpejti do të kenë një stadium të mirë strukturuar, por pastaj iu kishte dalë ky problem.

Ai shprehet gjithashtu edhe i mërzitur për shkakun se për dallim nga Komunat tjera, janë të vetmit të cilët janë të detyruar t’i zhvillojnë seancat stërvitore dhe ndeshjet në po të njëjtin stadium.

”Kur ne bota sportive menduam se do të lëvizin punët mirë në këtë drejtim, atëherë na u servu problemi i lokacionit, e rëndësishme të ceki është se Ferizaj është në hendikep me komunat tjera sepse qyteti ynë aktualisht disponon vetëm një fushë e cila përdoret për qëllime stërvitore edhe për zhvillimin e ndeshjeve për të gjitha klubet e qytetit të Ferizajt dhe këtu është fjala për të gjitha klubet dhe shkollat e futbollit në Ferizaj,” tha ai për Gazeta Metro.

Pas mos reagimit të nivelit qendror drejtori i skuadrës së Ferizajt tregon se morën iniciativë për peticion dhe deri më tani sipas tij janë tejkaluar pritshmëritë, ku janë mbledhur mbi 5,000 mijë nënshkrime.

Selmani gjithashtu zbulon se kanë pasur takime edhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët vijnë nga Ferizaj, ku thotë që kanë shkuar shumë mirë, por ka edhe nga ata që ndajnë mendimin ndryshe.

”Ajo çka po ashtu ne vërejtëm ishte mos reagimi nga niveli qendror dhe kjo bëri që një grup i veteranëve të futbollit, të marrin një iniciativë për peticion kjo për të senzibilizuar pak a shumë opinionin rreth stadiumit në qytetin e Ferizajt. Peticioni sa për fillim i ka tejkaluar pritshmëritë dhe tani më ka kaluar mbi 5 mijë nënshkrime kurse pretendimi është të kalojë mbi 10 mijë.”

”Ndërkohë jemi në kontakt dhe kemi bërë takime edhe me deputetët e Kosovës nga Ferizaj dhe takimet kanë shkuar shumë mirë kurse i mirëkuptojmë edhe ata që ndajnë një mendim ndryshe,” theksoi ai.

I pyetur nga Gazeta Metro se kush janë deputetët të cilët ndajnë mendimin ndryshe, ai tha se është deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Dimal Basha, i cili nuk është duke e përkrahur ndërtimin e stadiumit..

Në mënyrë ironike, nëse mund ta quajmë Selmani tha që gjatë javës do të takohen edhe me deputetë të tjerë, pasi gjatë vikendit nuk deshën t’i ‘trazojnë’.

”Deputeti Dimal Basha nuk e përkrah idenë e ndërtimit të stadiumit dhe kjo nuk na ka pëlqyer por e respektojmë mendimin ndryshe, të tjerët janë në gjatësi valore me ne por ata do ta konsumojnë në detaje pjesën që i takon politikës dhe do të na ndihmojnë. Gjatë javës planifikojmë të takojmë edhe një pjesë të deputetëve të cilët gjatë vikendit nuk i trazuam,” përfundoi ai.

Duhet theksuar se Ferizaj këtë sezon është inkuadruar në Superligën e Kosovës pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në Ligën e Parë. Skuadra e drejtuar nga Arbnor Morina ka qenë aktive mjaft shumë edhe gjatë afatit kalimtar të verës, ku ka sjellë disa prej lojtarëve më me përvojë në elitën e futbollit kosovar dhe pritet të jenë ‘arrë e fortë’ sezonin e ardhshëm. 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img