03,05,2024

Juridiksioni Presidencial në SHBA

Must Read

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sistemin kushtetues më të vjetër në botë. Sistemi amerikan mbështetet në ndarjen e qartë të pushteteve në shtet, çka nënkupton autonomi të mirëfilltë të tyre, veçanërisht për sa i përket mënyrës së zgjedhjes, ushtrimit dhe ndërprerjes së veprimtarisë së organeve që përfaqësojnë pushtetet përkatëse.

Bëhet fjalë për një regjim presidencial klasik, me “qeveri presidenciale”. Pushteti ekzekutiv në SHBA është në duart e Presidentit, i cili, krahas prerogativave të rëndësishme kushtetuese, gëzon edhe legjitimitetin popullor falë zgjedhjes së tij me votë universale, për një mandat katërvjeçar. Për marrëdhëniet e ekuilibruara ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit, amerikanët u ndikuan nga përvoja angleze megjithëse ish-kolonitë britanike, që u bënë shtete të pavarura, luftuan me armë në dorë për të shpëtuar nga sundimi britanik.

Anëtarët e qeverisë, që quhen sekretarë, emërohen prej Presidentit, me pëlqimin e Senatit.

Presidenti drejton administratën federale, emëron (me miratimin e Senatit) zyrtarë të lartë federalë, diplomatë, anëtarë në Gjykatën e Lartë; udhëheq politikën e jashtme, negocion dhe nënshkruan marrëveshje dhe traktate që ratifikohen nga Senati; është komandant i përgjithshëm i ushtrisë dhe mund të drejtojë veprime luftarake jashtë vendit, por pa miratimin e Kongresit nuk ka të drejtë të organizojë veprime të tilla për më shumë se 60 ditë.

Një sistem i tërë organizmash dhe agjencish të specializuara është krijuar për të mbështetur ushtrimin nga Presidenti të funksioneve ekzekutive dhe për kontrollin e veprimtarisë së departamenteve qeveritare: Zyra e Shtëpisë së Bardhë (White House Office), Zyra e Administrimit të Buxhetit, Këshilli i Këshilltarëve Ekonomike, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Zyra e Administratës, Zyra e Politikës Shkencore dhe Teknologjike etj.

Të gjitha këto formojnë së bashku atë që është quajtur “Presidenca e Institucionalizuar”. .

Gjithsesi, kompetencat e Presidentit balancohen nga ato që kanë Kongresi dhe Gjykata e Lartë e Drejtësisë. Si Presidenti, ashtu edhe Kongresi, zotërojnë fuqi vepruese ndaj njëri-tjetrit, që ndryshojnë nga ato të regjimit parlamentar. Presidenti mund të verë veton mbi një ligj të votuar nga Kongresi. Në këtë rast ligji hyn në fuqi vetëm në qoftë se Kongresi përsërit votimin dhe e miraton ligjin me shumicë të cilësuar, pra me 2/3 e numrit të anëtarëve të secilës Dhomë. Vënia nën akuzë e Presidentit bëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve, me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa revokimi i tij bëhet nga Senati me shumicë absolute votash. Më 1974, Presidenti Riçard Nikson u detyrua të jepte dorëheqjen që të mos gjykohej nga Senati pasi u padit për spiunimin nga ana e njerëzve të tij e një mbledhjeje të Partisë Demokrate gjatë fushatës zgjedhore të vitit 1972 (Çështja Uotergejt).

Pra, Presidenti dhe Kongresi mund të pengohen ndërsjelltas në ushtrimin e atributeve përkatëse. Funksionimi normal i sistemit politik kërkon jo bllokimin reciprok, por bashkërendimin e veprimeve të ekzekutivit e të legjislativit. Kjo realizohet shpesh herë jo aq me mjete formale, se sa me mjete informale, me anë të marrëdhënieve mirëkuptuese, të cilat Presidenti i mban me parlamentarët në përgjithësi dhe me Senatin në veçanti.

Presidenti nuk mund të mbështetet në deputetët e partisë së vet sepse, ndryshe nga disiplina dhe koherenca që shquan veprimet e partisë që ka shumicën në parlament në një regjim si ai britanik, në SHBA liria e votës së parlamentarëve është absolute, ndërkohë që nocioni i shumicës në parlament është krejt relative.

Ndër pushtetet nga varet mbajtja e baraspeshimit në funksionimin e sistemit amerikan, ai juridik, i Gjykatës së Lartë, mban vendin e parë. Veprimtaria politike e pushtetit juridik ushtrohet kryesisht për garantimin e respektimit të Kushtetutës përmes kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve, urdhrave të ekzekutivit dhe marrëveshjeve të nënshkruara me shtetet e huaj.

Gjykata e Lartë zgjidh të gjitha konfliktet politike serioze; ajo është një instrument baraspeshe në sistemin politik, që u vë cak teprimeve që mund të nxjerrin krye në segmente të ndryshme qeveritare dhe mbron individët e pakicat; mund të vendosë për ndryshime apo modifikime, për të cilat Presidenca dhe Kongresi ngurrojnë t’i bëjnë .

Në mbyllje theksojmë se Presidenti ka një pozitë mbizotëruese në kuadrin e pushteteve, por Kongresi nuk varet prej tij !

Shkruan:  Rinor Frangu

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjykata ia cakton masën e paraburgimit të dyshuarit për dhunimin e viktimës me aftësi të kufizuara mendore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img