12,04,2024

Javët e shqetësimeve të mëdha

Must Read
Blerim Shala

Shkruan: Blerim Shala

Nuk ka vit që në Perëndim, veçanërisht në SHBA, nuk botohen libra të reja që sërish paralajmërojnë dobësimin apo madje, edhe përfundimin e epokës politike dhe historike të mbizotërimit të Amerikës dhe të Perëndimit në Botë, e cila nisi diku pesë shekuj më parë.

Thuaja në të gjitha këto vëllime që rëndom bartin tituj me ngjyrime apokaliptike, supozohet që po ndodhë ngritja në skenën botërore të shteteve nga anët tjera të rruzullit tokësor, veçmas i Kinës (po edhe Indisë, etj), apo edhe ri-kthimi në këtë skenë i Rusisë, gjë që po mëdyshë supremacinë politike dhe ekonomike të Perëndimit.

Pakkush ka supozuar nga autorët më të shquar në Amerikë dhe në Evropë që Perëndimi, në përgjithësi, në ato vlerat supreme të tij që bashkojnë Liberalizmin dhe Demokracinë, do të mund të kontestohej nga brenda, nga zhvillimet të cilat gati askush nuk i ka paraparë në qarqet akademike dhe politike në te dy anët e Atlantikut.

Dy ngjarjet madhore të pesë muajve të fundit, në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, të thuash rrëzuan për toke gjithë ‘godinën’ politike, diplomatike dhe intelektuale që ishte ndërtuar në Perëndim që prej vitit 1945-të e këndej, e cila prej vitit 1989-të e tutje, deri para pak vitesh, mori trajtën e marshimit fitimtar të Perëndimit në gjithë Botën me dukurinë e globalizmit.

Së pari, ndodhi Brexit-i, apo vendimi popullor që Britania e Madhe do ta braktisë Bashkimin Evropian. Së dyti, Donald Trump, poashtu me votën e qytetarëve amerikanë, u zgjodh Presidenti i SHBA-së.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, që tek duhet të nisë (si ndërmarrje ligjore), domosdoshmërisht imponon rishikimin e BE-së si projektin më të suksesshëm politik të Evropës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Fitorja e Trampit në SHBA, ka lëkundur dheun nën këmbët e marrëdhënieve në mes të Evropës dhe SHBA-së, të cilat njohin segmentin vendimtar ushtarak, në kuadër të Paktit NATO, dhe atë të relacioneve politike dhe ekonomike.

Liderët e sotëm të Britanisë së Madhe po mundohen të ushtrojnë ‘kontrollin e dëmit’  (‘damage control’), të Brexit-it, duke pohuar që Britania do të del nga BE-ja por do të mbetet pjesë e Evropës, dhe gjithsesi, anëtar i Paktit NATO.

Kryepolitikanët evropianë, veçmas Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë, të cilën autorët amerikanë dhe britanikë kanë nisë ta cilësojnë si ‘lidere të Botës së lirë’  (titull ky që për më shumë se gjysmë shekulli i ka takuar Presidentit amerikan), po shpresojnë që në javët dhe muajtë e tranzicionit, derisa me 21 janar (2017) të betohet si Presidenti i 45-të i Republikës më të suksesshme në historinë e njerëzimit, Donald Trump, së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, do të dëshmojë që Washingtoni do të mbetet partneri kryesor i Brukselit (Evropës), dhe që Pakti NATO do të jetë tutje ambrella e sigurisë për Evropën.

Mëdyshja eventuale e këtyre dy momenteve kyç në relacionet transatlantike, objektivisht, do ta kthente Evropën në periudhën historike që ka qenë në fuqi këndej pari midis dy luftërave botërore.

Kjo do të ishte një ftesë për telashe të mëdha politike dhe të sigurisë në Evropë, dhe në raportet e Perëndimit evropian me Lindjen e përfaqësuar nga Federata e Rusisë.

Çarjet eventuale në Perëndim, midis SHBA-së dhe Evropës dhe në mes të Britanisë së Madhe dhe Evropës kontinentale, do të kenë pasoja të mëdha edhe për këtë stabilitetin edhe ashtu të brishtë në Ballkan.

Dy ngjarjet madhore që kanë të bëjnë me ne, me shqiptarët e Kosovës, pra, një herë çlirimi i Kosovës dhe pastaj pavarësimi i Kosovës, janë rezultat i ngadhënjimit politik dhe ushtarak të Perëndimit, dhe veçmas, e globalizmit si dukuri në gjithë Botën.

Vetëm më ato rrethana, apo, në kontekstin e ri politik dhe historik që u bë i mundshëm në vitet e nëntëdhjeta, ka mundur të bëhet lufta e Paktit NATO për shpëtimin e Kosovës, në pranverën e vitit 1999-të, dhe krijimi i shtetit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2008-të.

Çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës nuk do të ndodhnin kurrë po të mos kishte unitet të fuqishëm të Perëndimit, dhe supremaci politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake të Perëndimit, (SHBA-së dhe BE-së), në Botë.

Për këtë shkak, çdo çarje në anët Perëndimore, dhe tendencat anti- globaliste të cilat tashmë kanë ardh në shprehje në disa shtete perëndimore, gjatë dyluftimit në mes të Popullizmit dhe Demokracisë Liberale, do të jenë shumë të rrezikshme për Ballkanin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)

 

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasja në Ferizaj, Agim Aliu: Të gjithë të tronditur, bashkëndiejmë me familjen e viktimës

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur pas ngjarje së rëndë që ndodhi pasditen e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img