Zhvillimi i projekteve të shumta infrastrukturore, por edhe përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese është një nga fokuset më të rëndësishme të qeverisjes lokale. Së fundi, është projekti për rregullimin e Tregut të Kafshëve dhe Tregut të Gjelbërt në fshatin Dardani, ku Komuna e Ferizajt parasheh investime në rregullimin e infrastrukturës bazë.
Për këtë, në hapësirën ku do të realizohet ky projekt, për të parë nga afër terrenin, dolën drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, kryeshefi i NPL “Ambienti”, Faruk Hyseni si dhe kryetari i fshatit Dardani, Fadil Halili.
Rregullimi i rrethojës për gjithë hapësirën e tregut, ndarjet e domosdoshme mes hapësirave të tregut të gjelbërt dhe atij të kafshëve, vendosja e kontejnerëve dhe investime tjera bazike në infrastrukturën e tregut, janë vetëm disa nga punimet që do të kryhen, për ta kthyer këtë hapësirë, me kushte të përshtatshme për zhvillimin e tregut duke e plotësuar me infrastrukturën bazë.