Deputeti nga radhët e PAN-it, Rasim Selmanaj, është shprehur i bindur se Kuvendi do të konstituohet në pjesën e parë të shtatorit.
“Nuk është problemi që PAN-i nuk i ka pasur numrat, por mendoj se ende na duhet edhe pak kohë, jo më shumë se dy javë, për ta pasur një proces stabil në formimin e institucioneve. Jemi të bindur se do të zgjidhet kryetari, është një proces që s’ka kthim mbrapa”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
E tërë kjo, sipas tij, pritet të ndodhë në fillim të muajit të ardhshëm, rrjedhimisht para zgjedhjeve lokale.
“Në fillim të shtatorit do të formohet Kuvendi, do të bëhet zgjedhja e kryetarit, nënkryetarëve, më pastaj Qeveria, e udhëhequr nga z. Haradinaj”, është shprehur ai.
Selmanaj më tej ka thënë se pavarësisht se Kadri Veseli (i nominuari i vetëm për kryetar Kuvendi nga PAN-i) nuk i ka votat aktualisht, do të vazhdojë të jetë kandidat për këtë pozitë.