Ish-ministri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani e ka komentuar vendimin e Qeverisë Haradinaj i cili sot i ka miratuar masat tregtare të importit për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Ky veprim sipas ish-ministrit Hasani, do të zgjasë vetëm një javë.
“Në kohën sa isha ministër i Tregtisë dhe Industrisë, pata marrë disa masa ndaj shteteve fqinje për produkte që i dëmtonin prodhuesit tonë. E keni shumë të freskët në kujtesë se këto vendime u kundërshtuan nga shumë ish-kolegë të mi nga kabineti qeveritar me arsyetimin se po i dëmtojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe e shkelim marrëveshjen e CEFTA’së”, ka shkruar Hasani.
Tutje ai ka deklaruar se duke e njohur palën kosovare, dyshon që vendimi do të zgjasë deri të martën e ardhshme.
“Më erdhi mirë kur po të njëjtit sot kërkuan masa ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Duke i njohur dyshoj shumë se këto masa do të jenë gjatë, mund të zgjasin vetëm deri të martën e ardhshme”.
Ndëkrohë, Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur pas mbledhjes së Qeverisë se ka miratuar masat tregtare të importit për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Ky veprim u mor pas propozimit që ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Haradinaj ka bërë të ditur se produkteve serbe, në përjashtim të brendeve ndërkombëtare, do të kenë taksë shtesë prej 10 për qind. “Për herë të parë kemi marrë masë mbrojtëse. Kemi marrë vendim për vënien e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës”.