Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka komentuar deklaratat e udhëheqësve të Nismës Socialdemokrate, partisë së cilës nuk është më pjesë e saj.
Dje, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar degën e Nismës në Gjilan, ku është takuar me strukturat drejtues të kësaj dege, kryetarin e ri, Sevdail Robellin, të cilit i ka uruar suksese në detyrën e re.
Limaj ka thënë se sipas të gjitha matjeve, mbështetja për Nismën në këtë qytet është dyfishuar.
Por me ketë qëndrim nuk është pajtuar ish-kryetari i degës së Nismës në Gjilan Bajram Hasani.
“Kur ikin njerëzit nuk quhet dyfishim, por zvogëlim. Kur ikin pothuajse të gjithë mund të quhet edhe shuarje”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ish-ministrit Bajram Hasanit i ka reaguar dje edhe deputeti i Nismës Enver Hoti, i cili ka thënë se “Publikimet e orkestruara njëra pas tjetrës nga z. Bajrami Hasani, e kanë vetëm një qellim “me e rrit kinse peshën politike” para aderimit në ndonjë parti tjetër, peshë e cila do ta rëndit ish-ministrin, në fund të rreshtit kudo që shkon!Megjithatë respekt për qëndrimet e secilit”.
Postimi i plotë i Bajram Hasanit:
Kur ikin njerëzit nuk quhet dyfishim, por zvogëlim. Kur ikin pothuajse të gjithë mund të quhet edhe shuarje. Të paktën kështu kemi mësuar nga përvoja ne dy ekonomistët, unë dhe Avdyl Brestovci.
Folëm gjatë sot. E analizuam tërë situatën. Abdyli po e ndjek rrugën time dhe të shumë miqve që me dëshirën e tyre më janë bashkuar. Ai sot ka dhënë dorëheqje nga NISMA Socialdemokrate, nga kryesia e degës në Gjilan dhe nga Këshilli Kombëtar.
Kam takuar shumë njerëz gjithandej por pak kam parë njerëz punëtorë, të urtë e intelektual si ky.
Ndjehem shumë mirë kur rrugën time e ndjek edhe Abdyli, ekonomisti me përvojë të gjatë menaxheriale në kompani të ndryshme si publike ashtu edhe private.
Politika ndanë dhe bashkon ndonjëherë njerëz. Por kur të bashkon me më të mirët është shumë nder dhe privilegj.