Ferizaj.05.09.2017. Zërat se uji i pijes në komunën e Ferizajt është i infektuar, i mohon drejtori i kompanisë rajonale të ujit “Bifurkacioni”, Nazif Asllani. Ai thotë se nga analizat e përditshme që i marrin në Institutin e Shëndetit Publik në Ferizaj, del se uji është i pijshëm dhe nuk ka asnjë infektim në asnjë zonë të komunës së Ferizajt.
“Nuk besoj se ka një informatë të tillë, se zakonisht qytetari nëse ndodhë dikund duhet me na lajmëru neve të parëve dhe ne menjëherë e lajmrojmë insitutin ose institutet që i bëjnë mostrat për çdo ditë duhet me na lajmëru neve, të paktën unë nuk kam një informatë të tillë, por nuk besoj që edhe zyrtarët në kompani kanë një informatë të tillë, mundet me ndodhë shpeshherë nëse kemi ndonjë defekt, kemi patur në rrugën “Ahmet Kaçiku” që na u ka shkaktu një dëm gjatë kohës sa një kompani kryente punimet në rrjetin e kanalizimit, ditën e parë që e kemi sanuar u kemi treguar qytetarëve që mos të pijnë ujin për një orë derisa të pastrohet, ndërsa nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo informatë as për zonat rurale as ato urbane, por edhe instituti është i obliguar në bazë të kontratës me na lajmëru menjëherë, uji është i sigurt, qytetarët mund ta përdorin pa problem, nuk kemi asnjë telashe”, tha Nazif Asllani për Televizionin Tema.
Ndërsa, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, thonë se të gjithë pacientët që kanë pranuar kanë qenë me simptoma të infeksioneve virale të sezonës dhe nuk kanë pasur ndonjë rast që ndërlidhet me infeksionin e ujit të pijes.
“Pacientët që kanë kërkuar shërbime shëndetësore zakonisht kanë pasur simptoma në rrugët e sipërme të frymëmarrjes që shoqërohen me temperaturë, rrjedhje të hundëve, kollitje, po ashtu ka pasur pacientë që kanë pasur simptoma nga trakti gastrointestional të shoqëruara me vjellje dhe barkqitje, të gjitha këto simptoma që flasin për infeskione virale të sezonës, çdo herë sezona e verës përcillet me një numër të madh të viruseve dhe janë simptoma që i shoqërojnë pacientët duke e ditë që ne në qendrat e mjekësisë familjare japim shërbime jashtë spitalore, do të thotë kanë nevojë vetëm për tretman ditor dhe këshilla të mëtutjeshme për kujdesin shtëpiak, nuk kemi të raportuara raste të rënda, por raste që i kemi përcjellur për hospitalizim”, tha U.D e drejtorit të QKMF-së në Ferizaj, Ibadetet Bucaliu.
“Në qendrën e mjekësisë familjare numër katër, që përfshinë regjionin e Sallahanës numri i pacientëve është pak ma i vogël se në qendrën kryesore dhe atë të qendrës dy, përafërsisht sillet 80 pacienta brenda ditës që kërkojnë ndihmë në këtë qendër, zakonisht vijnë me kokëdhembje, temperaturë, dhembje muskulore, ka edhe raste që vijnë me barkqitje, vjellje, por të shumtën e rasteve janë fëmijë të cilët përdorin ushqim të papastër dhe mund të vie tek barkqitja apo vjellja e cila kalon lehtë, numri i pacientëve tek ne nuk është shtu dhe sa i përket asaj që është helmu uji, stafi i kësaj qendre e konsumon këtë ujë, asnjëri prej neve nuk ka këtë simptomë që po përshkruhen, do të thotë këto simptoma nuk janë nga uji”, tha Avni Neziri, specialist, transmeton Televizioni Tema.
Komuna e Ferizajt furnizohet me ujë të pijes nga burimi i ujit në fshatin Pleshinë dhe Nerodime.