Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se Kosova ka mbështetje e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.
Hoxha gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, shtoi se brengë e Francës mbetet migrimi ende i madh i qytetarëve të Kosovës.
Kështu u përgjigj Hoxha kur u pyet nga kryetarja e komisionit Vjosa Osmani rreth qëndrimeve për heqjen e vizave.
“Përkundër rekomandimeve pozitive jemi në pritje të vendimit nga Këshilli. Nuk ka pas iniciativa të vihet në Agjendën e Këshillit dhe të votohet”.
“Edhe pse gjatë periudhës së zgjedhjes s’ka pasur lëvizje, në vazhdimësi vendeve anëtare, u kemi shprehur pakënaqësitë e qytetarëve tonë”.
“Kemi kërkuar të procedohet më shpejtë liberalizimi i vizave. Pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë është themeluar një grup punues të cilët po diskutojmë në nivel teknik për liberalizmin”.
“Kemi pasur përkrahje nga ministri i jashtëm i Gjermanisë mirëpo nuk kemi pasur përkrahje nga ministri i brendshëm. Shtet veç e veç nga vendet hezituese që s’kanë qëndrim janë: Franca, Holanda dhe Belgjika. Brengë e Francës mbetet migrimi prej qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku, pati pyetje për ministren Hoxha.
“Haradinaj ka thënë se është bërë progres i madh me Francën ndërsa ju thoni që ka probleme kush po e thotë të vërtetën”, pyeti ajo.
Deputeti i Nismas, Zafir Berisha, tha se krerët e shtetit nuk kanë qëndrime të qarta.
“Krerët e shtetit nuk kanë qëndrime të qarta a mundet politika jo e përgjegjshme në vend me ndiku me u zvarritë liberalizimi i vizave”, tha ai.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, tha se rekomandimet që jep BE-ja janë vetëm rekomandime dhe nuk e detyrojnë askënd.
“Tani ne kemi rekomandim që thonë se i kemi plotësuar të gjitha kriteret, por në mars 2018 në raport theksohet thjeshtë që ka ndërhyrje politike ne sistemin e drejtësisë, rastet e shënjestruara dhe raportin e progresit i cili theksoj se në luftimin e krimit Kosova gjendet ne fazë fillestare, të njëjtën e thotë në 2016, 2017,2018. Cili është presioni juaj në qeveri me luftu korrupsionin, gjatë vizitave a është përmend kërcënimi i kryeministrit te prokurori”, tha ajo.
Ministra Hoxha tha se kryeministri Haradinaj, Franca dhe ajo vetë po thonë një të vërtetë.
Ajo tha se konsensusi do të krijohet apo mund të formohet kur kemi qëndrim të qartë të Francës
“E vërteta ime, e kryeministrit dhe e Francës të gjithë po e themi një të vërtet, nëse i shihni deklarata vetëm titujt kanë qenë tendencioz. Çështjes së pozicionit, Franca s’ka pozicion, as kryeministri, as unë nuk e ka thënë se Franca ka thënë po ashtu si e ka thënë Gjermania. Takimet bilaterale kanë vazhduar. Konsensusi do të krijohet apo mund të formohet kur kemi qëndrim të qartë të Francës. Bazë për pengimin e liberalizmin është raporti i Komisionit Evropian. Ne kemi pasë se edhe raporti vendor i përmend sfidat. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë krimin, korrupsionin dhe të kërkojmë standarde. Ne nuk i kemi listuar rastet, prokuroria dhe gjyqësori janë të pavarura është sistem që vepron në bashkëpunim me EULEX-in. Rasti i kërcënimit te prokurorit nuk më është përmendur”, tha ajo, raporton EO.
Deputeti i VV-së, Dukagjin Gorani, tha se ministrja Hoxha po ofron ekspozime që përgjithësisht janë çështje ekspertësh.
“Ministre ju po e vazhdoni traditën e diskutimit të liberalizmit si çështje teknike, në këtë qasje teknike është krijuar përshtypja se liberalizmi është i matshëm dhe i llogaritshëm. Çka ka bërë ministria gjatë këtyre viteve është me mbajt një iluzion për opinionin. Ajo që ju po na ofroni janë ekspozime që përgjithësisht janë çështje ekspertësh, unë nuk e pres me na dhënë ekspozime sepse ju jeni ministre”, tha ai.