Po të ishin zyrtarë shtetërorë amerikanë, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, do të ishte i tmerruar, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova, Enver Hoti, deputet i Nismës për Kosovën, në prag të vizitës së Biden në Kosovë.
“Biden nuk do ta donte Mustafën e Thaçin në Amerikë. Ai do të ishte i tmerruar nëse do t’i kishte Mustafën e Thaçin zyrtarë shtetërorë atje”, ka thënë Hoti.
Duke folur për vizitën e zëvendësit të Barack Obamas, Hoti deklaroi se vizita e Biden tregon gatishmërinë e amerikanëve për të t’i ndihmuar Kosovës.
“Ne i gëzohemi vizitës së Biden, është një akt i mirë për vendin, sepse tregohet gatishmëria nga amerikanët për Kosovën”.
Por, Hoti ka pohuar se “Demarkacioni nuk është thelbi i vizitës së Biden në Kosovë”, derisa ka thënë se nuk kanë marrë ftesë për t’u takuar me politikanin amerikan, por do ta dëshironin një gjë të tillë.
“Jemi të gatshëm të takohemi, vizita e Biden është e rëndësishme dhe e mirëseardhur, gjithsesi ai vjen si një zyrtar dhe normal që takohet me zyrtarë shtetërorë”.
Hoti duke folur për çështjen e Demarkacionit ka thënë se situata është jashtëzakonisht në tension.
“Vendi është katandisur në një situata që mund të ketë pasoja të pariparueshme. Banorët e asaj ane (Rugovë, Pejë, Deçan) janë të tensionuar. Ne e kemi parë me fakte dhe me sytë tanë se si ka humbur Kosova tokë në atë pjesë. Prandaj do të kundërshtojnë me mjete demokratike deri në fund këtë formë të demarkacionit. Po ashtu do t’i mbështesim të gjitha reagimet qytetare që do të vijën për këtë punë”, tha ai.
Deputeti nga Nisma ka kritikuar edhe njëherë punën e Komisionit Shtetëror për Demarkacionin.
“Komisioni Shtetëror për Demarkacionin po manipulon me popullin duke dhënë të vërteta të shtrembëruara dhe për ta mbuluar punën e keqe të tyre. Nisma është këmbëngulëse dhe veçse e kemi forcuar qëndrimin tonë edhe më shumë se ky Demarkacion nuk është në rregull dhe nuk duhet të kalojë”.