Një nga pikat e programit të Qeverisë Hoti është edhe mundësimi i tërheqjes së një përqindjeje të kursimeve nga Trusti. Një gjë e tillë parashihet në pjesën ku flitet për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, shkruan Gazeta Metro.
Kthimi i një përqindjeje të mjeteve të kursyera në Trustin Pensional për kontributpaguesit, bazuar në nevojat e tyre, do të bëhej me mundësinë e shfrytëzimit për një periudhë 3-mujore. Shuma e tërhequr do të kompensohet nga shteti brenda 5 viteve.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe TRUST-i që të përshpejtojnë nismën që qytetarëve t’u mundësohet tërheqje e dhjetë për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Sipas njoftimit nga Qeveria, kërkesën Hoti e ka bërë të mërkurën në një takim me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, drejtuesit e Trustit dhe ministren e Financave, Hykmete Bajrami. Në njoftim thuhet se kjo kërkesë bëhet me qëllim të “zbutjes së pasojave në ekonominë familjare si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid 19”.
“Me këtë rast, kryeministri Hoti kërkoi përshpejtimin e këtij procesi, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që qytetarët ta kuptojnë se mundësia për ta tërhequr 10-përqindëshin e kursimeve të tyre nuk është politikë sociale, sepse për këtë ne si qeveri kemi pako të tjera, por është pjesë e vullnetit dhe e vendosmërisë sonë për t’u ndihmuar qytetarëve tanë, në mënyrë që ata ta përballojnë sa më lehtë gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë Covid 19”, thuhet në njoftim.